Guns&Roses apo seriali latino-amerikan në arenën politike të Kosovës?
Fushata politike për karriget e nxehta në kuvendet komunale të Kosovës, ishin bërë shkak i akuzave të vërteta dhe të imagjinuara nga partitë politike. Të gjithë kandidatët për kryetarë komunash që kishin konkurruar në këto zgjedhje, provuan të gjitha rrugët e mundshme për fitoren e tyre për postin e kryetarit të komunës, në mënyrë legjitime, por duke mos anashkaluar edhe atë jolegjitime.
Dy partitë që janë pjesë te Qeverisë së Kosovës PDK dhe LDK ishin më të zëshëm në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Siç duket partnerët e koalicionit PDK-LDK kishin humbur simpatinë për njëri-tjetrin, pasi që partitë e koalicionit nuk i kishin mbetur besnik njëra tjetrës.
Cila ishte tradhtarja që e tradhtoi partnerin në mes të natës, PDK apo LDK, mbetet nën mjegullinën e fshehtësisë së partnerëve. Lutfi Haziri nga radha e LDK-së e kishte quajtur koalicionin qeverisës PDK-LDK Guns and Roses (Armë e trëndafila).
Populli shqiptar është i njohur si një popull që nxehet shpejt, por edhe ftohet shumë shpejt. Deklaratat e mëhershme, që erdhën afër mesnatës, për mundësinë e prishjes se koalicionit qeverisës PDK-LDK u ngjajnë personazheve të serive latino-amerikane, në të cilat partneret tradhtojnë njëri-tjetrin, ndahen, dhe përsëri bashkohen. Pra, emrin që z. Lutfi Haziri i u kishte vendosur koalicionit PDK-LDK Guns and Roses nuk i përshtatet edhe shumë por duhet quhet Te Quiero La Administracion.
Njëherë pati deklarata për prishjen e këtij koalicioni, por kush dhe çka ndikoj që kjo mos të ndodhë, e dinë më së miri vetë partneret, por nuk përjashtohet mundësia që faktori ndërkombëtar të mos ketë ndërhyrë në këtë rast.
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi deklaroi se arsyeja kryesore pse erdhi deri të mundësia e prishjes së këtij koalicioni, ka qenë deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm nga LDK, për kritika të pabaza ndaj qeverisë.
Politikanët tanë treguan politikë joprofesionale dhe amatore, duke thënë deklarata të tilla për prishje dhe për mos prishjen e koalicionit qeverisës, dhe atë në orët e vona të mes natës. Dikush nga këta politikanët ishte zgjuar somnambul, dhe në atë gjendje dha deklarata që akoma pa u bërë 24 orë nga kjo deklaratë i ranë pishman siç i bien gjithnjë pishman aktorët në serialet latino-amerikane.
Tani ky koalicion është thyer si gota e qelqit në 1000 apo më shumë copëza, por politikanet tanë për interesat e tyre personale po mundohen që ta rikonstruktojnë gotën e thyer dhe të na servojnë sikurse të mos ishte thyer kurrë.
Papjekuria e politikës kosovare e dëmton më së shumti popullin e Kosovës, përmes së cilës ata qëndrojnë në hierarkinë shtetërore. Pas balotazhit që do të mbahet, do të vazhdojnë politikanet tanë më lojërat e tyre politike, duke vazhduar serinë e mbetur për gjysëm.
(Autorja është studente e gazetarisë në Universitetin e Cyrihut-Zvicër)



































