Trajneri Pep Guardiola beson se Erling Haaland mund ta thyejë rekordin e Cristiano Ronaldos dhe të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve.

Edhe pse vetëm 25 vjeç, Haaland tashmë është një emër i rëndësishëm në historinë e Ligës së Kampionëve. Norvegjezi u bë lojtari më i shpejtë që arrin në kuotën e 50 golave, për ta arritur këtë numër brenda vetëm 49 ndeshjeve.


Megjithatë, përpara tij qëndrojnë ende dy maja të larta: Lionel Messi me 129 gola dhe Cristiano Ronaldo me 140 gola, që mbeten shënuesit më të mëdhenj në historinë e garës. Pra, norvegjezit i duhen edhe 79 gola për të kapur Messin dhe 90 për të barazuar Ronaldon.

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e sheh si një objektiv të mundshëm. Në konferencën pas ndeshjes, ai nuk i kurseu elozhet për yllin e tij:

“Me këtë ritëm, po, ai mund ta thyejë rekordin. Ai nuk është i dëmtuar, mund të luajë edhe 10-12 vite të tjera dhe nëse vazhdon kështu, absolutisht që mund t’i kapë. Çfarë mund të them? Shifrat flasin vetë. Jemi me fat që e kemi në ekip”.

Pep Guardiola dhe Erling Haaland

Spanjolli shtoi se Haaland tashmë ka hyrë në elitën e golashënuesve më të mëdhenj:

“Vetëm për ta përgëzuar, sepse të arrish shpejt te 50 golat dhe të përmendesh krahas Van Nistelrooy, Lewandowski, por mbi të gjitha krahas dy ‘përbindëshave’ Cristiano dhe Messi, është e pabesueshme”.

Ky rekord e bën Haalandin jo vetëm një fenomen të së tashmes, por edhe një kandidat serioz për të rishkruar librin e rekordeve të Ligës së Kampionëve në vitet që vijnë. Nëse vazhdon pa dëmtime dhe me këtë efikasitet të frikshëm para portës, shumëkush beson se dita kur ai do të sfidojë shifrat e Messit dhe Ronaldos është vetëm çështje kohe./Telegrafi/

telegrafi sport app