Gua sha: rituali i gurit që zgjon freskinë dhe bukurinë natyrale të fytyrës

Një gur i vogël me skaje të rrumbullakosura përdoret për të shtyrë lëkurën e fytyrës dhe, mbi të gjitha, për të përmirësuar qarkullimin
Gua sha, teknika e masazhit të fytyrës e ka prejardhjen nga mjekësia tradicionale kineze dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve të muskujve dhe në uljen e ënjtjes së fytyrës.
Në parim, emri i saj i vërtetë do të ishte “gërryerje e muskujve”, por metoda nuk ka asnjë lidhje me këtë emër të ashpër. Përkundrazi, bëhet fjalë për një masazh të butë të lëkurës me ndihmën e një guri me skaje të rrumbullakosura, i cili në fakt e shtyn ose e fërkon lëkurën dhe në asnjë mënyrë nuk e dëmton atë.
Çfarë është teknika gua sha?
Gua sha është një teknikë që zakonisht e kryen akupunkturisti ose terapeuti i masazhit. Ata përdorin një mjet të vogël, të lëmuar – gur për fërkim të butë të pjesëve të lëkurës me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe stimulimin e rigjenerimit.
Gua sha është një teknikë e butë dhe zbatohet në fytyrë me presion shumë të lehtë. E nëse aplikohet diku tjetër në trup, si te muskujt tepër të tensionuar, intensiteti mund të rritet në varësi të nyjeve ku haset. Terapeutët identifikojnë zonat e indeve të tendosura, punojnë butë mbi to dhe gradualisht rrisin intensitetin me qëllim nxitjen e qarkullimit dhe ndihmën në shpërbërjen e këtyre zonave të nyjshme.
Megjithatë, gua sha mund të praktikohet edhe vetë në kushte shtëpie. Për këtë përdoret një gur i posaçëm me skaje të rrumbullakosura, fytyra pastrohet mirë dhe mbi të aplikohet vaj ose serum për rrëshqitje më të lehtë. Lëvizjet duhet të jenë të buta dhe të shkojnë nga qendra e fytyrës drejt skajeve – nga mjekra drejt veshëve, nga hunda drejt faqeve dhe nga balli drejt vijës së flokëve. Në qafë, lëvizjet bëhen nga lart-poshtë për të nxitur drenazhimin limfatik. Koha e rekomanduar është rreth 5–10 minuta, disa herë në javë, gjithmonë me kujdes për të mos ushtruar presion të tepruar, transmeton Telegrafi.

Cilat janë përfitimet e këtij masazhi të fytyrës?
Nuk ka mjaftueshëm hulumtime shkencore me cilësi të lartë për të përcaktuar përfitimet e kësaj teknike, por studimet vazhdojnë ta shqyrtojnë atë. Deri tani dihet se gua sha mund të:
Rrisë qarkullimin e gjakut. Është treguar se gua sha rrit mikrocirkulacionin në zonat ku aplikohet, që do të thotë se ndihmon në përmirësimin e rrjedhjes së gjakut nëpër enët më të vogla të trupit. Kjo ndihmon në furnizim më të mirë me gjak në mënyrë që gjithçka të funksionojë siç duhet.
Ulë inflamacionin. Gua sha mund të shkaktojë shfaqjen e njollave të vogla kuqërremta-vjollcë në lëkurë. Ato mund të duken si skuqje, por në fakt janë njolla të vogla gjakderdhjeje nën lëkurë të shkaktuara nga kapilarët e çarë.
Lehtëson dhimbjen. Në Azinë Lindore, gua sha shpesh përdoret për lehtësimin e dhimbjes. Mbështetësit thonë se mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve nga problemet muskulore-skeletore, si tensioni në shpatulla, qafë, shpinë dhe këmbë. Një studim i vogël tregoi se gua sha mund të ofrojë lehtësim më afatgjatë të dhimbjes kronike të mesit sesa terapia me nxehtësi.
Përmirëson drenazhimin limfatik. Ashtu si vetë-masazhi i drenazhimit limfatik, lëvizja e butë poshtë me gua sha mund të ndihmojë në lëvizjen e lëngut limfatik. Kjo mund të zvogëlojë ënjtjen e fytyrës dhe të na ndihmojë të ndihemi më të relaksuar dhe më të freskët.
- YouTube www.youtube.com
/Telegrafi/

















































