Një grua e zhdukur për gati 63 vjet është gjetur e gjallë dhe mirë pasi u shqyrtua rasti i zhdukjes së saj, ka njoftuar policia në shtetin amerikan të Wisconsin.

Audrey Backeberg ishte 20 vjeç kur u zhduk nga shtëpia e saj në qytetin e vogël të Reedsburg më 7 korrik 1962.


Në një deklaratë, Sherifi i Qarkut Sauk Chip Meister tha se zhdukja e Backeberg "ishte me zgjedhjen e saj dhe jo rezultat i ndonjë aktiviteti kriminal apo lojë të keqe".

Sherifi tha se ajo jetonte jashtë Wisconsin, por nuk dha detaje të mëtejshme, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Sipas Wisconsin Missing Persons Advocacy, një grup jofitimprurës, Backeberg ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë kur ajo u zhduk.

Grupi tha se disa ditë përpara se ajo të zhdukej, Backeberg, tani 82 vjeçe, kishte paraqitur një kallëzim penal kundër burrit të saj, me të cilin ishte martuar në moshën 15-vjeçare, duke pretenduar se ai e kishte rrahur dhe kërcënuar se do ta vriste.

Bëhet e ditur se ditën që u zhduk, ajo u largua nga shtëpia për të marrë pagesën nga fabrika e leshit ku punonte.

Zyra e Sherifit të Qarkut Sauk tha se hetuesit ndoqën pista të shumta në këtë rast.

Detektivi që zgjidhi çështjen, Isaac Hanson, tha se një llogari në internet që i përkiste motrës së Backeberg ishte vendimtare për të ndihmuar në gjetjen e gruas së zhdukur.

Ata më pas kontaktuan sherifët vendas ku jeton Backeberg dhe folën me të në telefon për 45 minuta. /Telegrafi/