LAJMI I FUNDIT:

Grremçat e Atdheut

Grremçat e Atdheut
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Më është thënë se këto “shkarravinat” e mia janë të zymta, plot trishtim, e ndonjëherë me kumte zezone. Për shumëkënd, jeta në Kosovë nuk është krejt skëterrë, sidomos nëse krahasohet me jetën në robëri. Edhe qëndrimi kritik karshi fenomeneve politike është cilësuar si i motivuar nga një lloj sensi pervers i polemistit të pandreqshëm dhe joracional. Ka të vërteta këtu.

Mirëpo …


Realiteti kosovar i krijuar pas qershorit të vitit 1999, e ka edhe një anë tjetër. E dimë çfarë ka ndodhur pas robërisë; ç’llum i zi doli nga thellësitë e botës shqiptare. Kjo rrokopujë, siç do të thoshte Ismail Kadare, te shumica e zbehu gëzimin e lirisë së porsafituar. Ylberet e shpresës së krijuar para dhe gjatë luftës, u fikën shumë shpejtë.

Kjo rrokopujë vazhdon edhe sot. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht nga të rinjtë, sikur bëjnë thirrje: ç’na duhet ky vend? Kosovarët po e kuptojnë Atdheun si kurth të jetës. Patriotizmi e atdhedashuria janë shndërruar në mirazh. Atdheun shihet si grremç që pengon lumturinë.

Ky grremç edhe sot kontrollohet nga një klasë politike që vazhdon të nxisë veç urrejtje. Kjo klasë politike, që më shumë i ngjan grupeve me gangsterë të rëndomtë, vazhdon të vërtitet nga cikloni i mosdurimit politik. Kjo skenë politike është e mbushur me servilë, me puthadorë të neveritshëm, me smirëzinj dhe spiunë të djeshëm e të sotshëm; me hajdutë, zhvatës të rëndomtë, dështakë … të gjithë të bashkuar përreth një dufi shkatërrues. Këta nuk lënë gurë pa lëvizur për të kthyer kryengulthi të gjitha parimet morale; gjithçka që ka vlerë. Duan të rrafshojnë çdo gjë, sepse manovrimi pastaj është më i lehtë për ta.

Thuhet se frika e kthimit të zezonës është joreal, i pajustifikuar, i pambështetur. Që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk kam pasur frikë që e keqja nesër do të ndërlidhet me faktorin e jashtëm, ta zëmë me Serbinë. Serbët e kanë humbur luftën. Nëse zezona do të kthehet, atë do ta sjellin shqiptarët.

Andaj, është tepër urgjente që të zhduket kjo shqotë. Duhet frenuar këtë marrëzi dhe këtë urrejtje mes shqiptarëve; duhet zbutur kjo skizmë e frikshme mes nesh që njerëzve të thjeshtë, që akoma jetojmë në Kosovë, t’u kthehet shpresa. Përndryshe, copëtimi i turpshëm i Atdheut nuk është e keqja e vetme. Rreziku më i madh është nga ikja masive e rinisë. E, një Kosovë e varfër e me pleq, çfarë të ardhme mund të ketë?