LAJMI I FUNDIT:

Grisja e flamurit të Turqisë nga Lagosi, nuk është rastësi

Grisja e flamurit të Turqisë nga Lagosi, nuk është rastësi

Javën që shkoi, eurodeputeti Ioannis Lagos, brenda Kuvendit të Bashkimit Evropian grisi flamurin kombëtar të Turqisë, një veprim që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, aq më shumë nga një deputet apo eurodeputet të bëjë një akt të tillë të paprecedent.

Ioannis Lagos ka një nivel të ulët arsimor;ka punuar dikur roje tek dyert e diskotekave në Pirea. Më tej, kryetari i partisë naziste “Agimi i Artë” e mori roje personale, duke e bërë deputet në legjislaturën 2012-2019. Vitin e shkuar Lagosi u zgjodh eurodeputet. Ai është arrestuar disa herë nga policia greke për rrahje, kërcënime, plaçkitje, trafikim prostitucioni dhe për vrasjen e Pavlo Fushës (Pavlos Fussa). Gjithnjë ia ka dalë që mos të dënohet për këto akuza. Flitet se është informator dhe bashkëpunëtor i zbulim dhe kundërzbulimit grek duke marrë pjesë edhe në operacionet jashtë Greqisë.

Në vitin 2013, policia e krimit ekonomik i gjeti Lagosit një llogari bankare të padeklaruar me më shumë se 150 mijë euro, në kohën kur Greqinë e kishte pllakosur kriza ekonomike. Edhe kësaj herë ia hodhi duke deklaruar se janë trashëgim që nga viti 2005. Duke parë të shkuarën e tij, vë re se veprimi për grisjen e flamurit turk në sallën e eurodeputetëve është i orkestruar nga Sigurimi i Greqisë për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për të financuar politikisht në uljen e tensioneve turko-greke, në lidhje me kufirin detar dhe zonat ekskluzive, pasi SHBA dhe presidenti Trump ia përplasi në fytyrë kryeministrit Mitsotakis gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, kur ky i fundit u ankua për Turqinë. Presidenti amerikan i tha: “Turqia është një aleat i besueshëm i SHBA dhe NATO-s, kurse presidenti Erdogan gëzon respektin dhe simpatinë time”.

Pra, grisja e flamurit turk nuk duhet të shihet si rastësi as si akti i një eurodeputeti i paditur që përfaqëson votën e popullit grek, por si një akt i porositur që përcjell një mesazh.

Të grisësh flamurin e një shteti nuk është trimëri as burrëri, por tregon nivelin e ulët të individit, edukatën e fituar në bankat e shkollës, besimin e shthurur me plot ngarkesë urrejtje ndaj kombeve dhe besimeve të tjera.

Eurodeputeti grek, me grisjen e flamurit kombëtar të Turqisë brenda Kuvendit Evropian tregoi nivelin e ulët të përfaqësimit të Greqisë në BE, por edhe të vetë BE-së si një organizatë me paragjykime negative ndaj Turqisë.