LAJMI I FUNDIT:

Greqia me president të ri

Greqia me president të ri

Ligjvënësit grekë zgjedhën si president të vendit, 65-vjeçarin Constantine Tassoulas, një figurë e besuar nga rrethi politik i kryeministrit konservator, një lëvizje që analistët e interpretojnë si një hap të Kyriakos Mitsotakis për të forcuar kontrollin mbi pushtetin.

Për t’u zgjedhur president, u deshën katër raunde votimi, pasi në dy raundet e para ai nuk arriti të sigurojë 200 vota dhe në të tretin 180, kështu që përfundimisht mori vetëm 160 votat e deputetëve të partisë Demokracia e Re.

Ish-kreu i parlamentit, Tassoulas, që zëvendëson presidenten në largim, Katerina Sakellaropoulou për një mandat pesë-vjeçar, është presidenti i parë që zgjidhet ekskluzivisht me votat e partisë në pushtet që e propozoi atë.


“Ju falënderoj sinqerisht për shpalljen zyrtare të zgjedhjes sime, një nder i madh, por njëkohësisht një përgjegjësi e jashtëzakonshme”, tha Constantine Tassoulas, presidenti i sapozgjedhur.

Tassoulas, që ka udhëhequr parlamentin që prej fitores së Mitsotakis në vitin 2019, është i njohur për lidhjet e tij me krahun nacionalist të konservatorëve në pushtet.

“Në një mjedis ndërkombëtar të paqëndrueshëm, jeta politike e vendit po evoluon me siguri dhe përgjegjësi, duke ndjekur një rrugë të qëndrueshme drejt demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror, në të cilin do të kontribuoni edhe presidenti i ri,” u shpreh Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë.

Tassoulas është një veteran politik, avokat dhe baba i dy fëmijëve. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2000 dhe ka shërbyer në pozita të ndryshme, përfshirë ministër i kulturës, zëvendësministër i mbrojtjes dhe sekretar i përgjithshëm i partisë në parlament.

Kandidatura e tij ka hasur kritika nga partitë opozitare. Socialistet e PASOK-ut e akuzojnë se Tassoulas nuk ka marrë përgjegjësi politike për tragjedinë më të rëndë hekurudhore të Greqisë, aksidentin e dy trenave në luginën e Tempit që shkaktoi vdekjen e 57 personave dy vite më parë.

Tassoulas do të betohet si president i Greqisë më 13 mars. /Telegrafi/