Grenlanda 'mund të mbështetet tek ne', thotë shefja e Komisionit Evropian përpara bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për Grenlandën të mërkurën, duke thënë se ishulli Arktik që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar ta pushtojë "i përket popullit të tij".
"Për mua është e rëndësishme që grenlandezët ta dinë dhe e dinë këtë me vepra, jo vetëm me fjalë, se ne i respektojmë dëshirat e grenlandezëve dhe interesat e tyre dhe se ata mund të mbështeten tek ne", tha ajo në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Komentet e saj vijnë ndërsa Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të presin ministrat e Jashtëm danezë dhe grenlandezë në Shtëpinë e Bardhë më vonë të mërkurën, transmeton Telegrafi.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, u tha gazetarëve se ai dhe homologia e tij grenlandez, Vivian Motzfeldt, kishin kërkuar një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pasi ai përshkallëzoi kërcënimet e tij për të aneksuar territorin vetëqeverisës danez.
"Arsyeja jonë për të kërkuar takimin që na është dhënë tani ishte që të zhvendosnim të gjithë këtë diskutim në një sallë takimi ku mund të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të flasim për këto gjëra", tha Rasmussen të martën në Kopenhagë.
Tensionet janë rritur ndjeshëm midis SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës këtë muaj, ndërsa Trump dhe administrata e tij vazhdojnë ta shtyjnë përpara çështjen.
Presidenti amerikan ka refuzuar vazhdimisht të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë ishullin.
Trump tha të mërkurën se kontrolli amerikan i Grenlandës ishte "jetik" për sistemin e tij të planifikuar të mbrojtjes ajrore dhe raketore Golden Dome.
"Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për qëllime të Sigurisë Kombëtare. Është jetike për Golden Dome që po ndërtojmë", shkroi Trump në një postim në mediat sociale.
"NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme", shtoi ai.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës tha të mërkurën se do të "forcojë" praninë e saj ushtarake në territorin e Arktikut dhe ishte në dialog me aleatët në NATO.
"Ne do të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë ushtarake në Grenlandë, por gjithashtu do të kemi një fokus edhe më të madh brenda NATO-s në më shumë ushtrime dhe një prani të shtuar të NATO-s në Arktik", tha Troels Lund Poulsen. /Telegrafi/




















































