Nga të gjitha gratë e Evropës, gratë shqiptare tradicionalisht kanë qenë më të dëmtuarat. Edhe sot, pavarësisht disa masave emancipuese gjatë periudhës komuniste (një nga të paktat gjëra pozitive që regjimi komunist në Shqipëri ndonjëherë ka bërë), ato ende janë viktima të vlerave thellësisht patriarkale, veçanërisht në fshat. Gazetari dhe autori gjerman, Paul Siebertz (1877–1954), e përshkroi gjendjen e tyre ashtu siç e përjetoi gjatë një ekspedite në malet e Shqipërisë së Veriut në vitin 1910. Siebertz ishte kryeredaktor i Das Vaterland (Atdheu), “gazetë për monarkinë austriake”, në Vjenë, nga viti 1907 deri më 1911, dhe ishte po ashtu autor i disa librave.

Nga: Paul Siebertz[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala


Niveli i ulët i përparimit kulturor të popullit shqiptar mund të shihet më shumë se kudo tjetër në mungesën e rëndësisë të popullsisë femërore. Gratë luajnë rol shumë të nënshtruar në jetën publike dhe private ndër shqiptarë. Siç ka vërejtur me të drejtë baroni Nopcsa, gratë në Shqipëri janë të paprekshme, si në vende të tjera në Turqi, por kjo nuk duhet interpretuar si shenjë respekti, por përkundrazi si një shenjë mospërfilljeje. Gruaja nuk do të akuzohet apo ndëshkohet kurrë për një vepër. Ajo mund të dalë ku të dojë pa frikë, edhe nëse familja e saj është përfshirë në gjakmarrje, por kjo vetëm sepse konsiderohet turp të hakmerresh ndaj një gruaje.

Ajo që burrat shqiptarë presin nga gratë e tyre është të sjellin dru, të gatuajnë ushqimin, të pjekin bukë dhe të bëjnë rroba. Ata i përdorin gratë për të transportuar mallra kur kuajt dhe mushkat janë sëmurë ose kur mungojnë. Gratë bëjnë gjithë punën e rëndë në këtë vend.

“Meqë fëmijët fejohen me njëri-tjetrin që në moshë shumë të hershme”, shkruan baroni Nopcsa, “dashuria është diçka krejt e panjohur. Kjo shihet në faktin që një burrë i ve qan për humbjen e gruas së tij, por jo si për të shoqen. Ajo që zakonisht i mungon është gruaja si shërbëtore e shtëpisë”. Është interesante të vihet re se gjuha shqipe nuk ka fjalë për “dashuri” apo “për të dashuruar” [sic.].

Si rregull, gratë takojnë burrat e tyre për herë të parë ditën që martohen, sepse fejesat gjithmonë rregullohen nga prindërit. Vetëm ndër shqiptarët malësorë, ndër fiset e ashpra malore, ndonjëherë hasen martesat nga dashuria, sepse ka më pak komunikim. Por, edhe këtu, njohja me njëri-tjetrin para martesës është jashtëzakonisht e vështirë, sepse shumica e fiseve nuk miratojnë martesat brenda vetë fisit. Burri dhe gruaja duhet të jenë nga fise të ndryshme, sepse anëtarët e një fisi e shohin veten të lidhur me gjak, trashëgimtarë nga një paraardhës, dhe martesa me një të afërm gjaku, sado e largët, konsiderohet incest. Një ilustrim i kësaj është ngjarja në vijim e përshkruar nga Karl Steinmetz që ndodhi në Nikaj. Një burrë nga Nikaj ishte i fejuar me një vajzë nga Shoshi, por nusja e ardhshme iku te motra e saj e martuar në Shalë, pak para martesës. Vëllai i saj, si kryefamiljar, ishte në një situatë shumë të vështirë, sepse dhëndri kërkonte nusen dhe mosplotësimi i fejesës do të çonte në gjakmarrje. Për ta zgjidhur problemin, ai mori motrën e martuar nga Shala që ishte për vizitë te familja dhe ia dha burrit nga Nikaj - në vend të motrës më të vogël që kishte ikur. Dhëndri ishte i kënaqur me këtë situatë, sepse nuk kishte parë asnjërën nga vajzat më herët. Problemi u zgjidh kështu. Megjithatë, gruaja më vonë iku dhe u kthye te burri i saj i parë dhe burri nga Nikaj u qëllua për vdekje nga burrat e Shalës kur u përpoq ta kthente atë.

Në rastet e rralla të martesave nga dashuria, në malësi, i riu e ka vizituar tashmë familjen e vajzës dhe e ka parë atë. Më pas, ai dërgon nënën ose një të afërm tjetër me një dhuratë për babanë e vajzës për të cilën ai është i interesuar. Nëse babai e pranon dhuratën, kjo është një shenjë që ai nuk ka kundërshtim ndaj lidhjes. Nëse babai refuzon, por vajza pajtohet, atëherë ajo rrëmbehet nga i riu dhe miqtë e tij. Ai është, megjithatë, subjekt i një gjakmarrjeje nga familja e saj. Sipas Steinmetzit, vajzat shpesh rrëmbehen me dëshirë.

Nusja nuk merr pajë. Përkundrazi, është detyrë e të riut, përpara martesës, që të paguajë familjen e nuses, sipas mundësive të tij financiare, me 1000-1500 piastra (220 deri në 300 kruna austriake), dhe në disa raste deri në 3000 piastra (700 kruna). Nusja, pra, në të vërtetë blihet, ashtu siç vëren në detaje Carl Patsch në studimin e tij mbi Sanxhakun e Beratit.

Poligamia ndodh mjaft shpesh në malësi. Në një rast ajo është e përcaktuar nga zakoni: nëse njëri nga dy vëllezërit vdes, vëllai që mbetet gjallë merr të venë si grua të dytë. E njëjta gjë vlen edhe për gruan e xhaxhait. Pikëpamjet për besnikërinë bashkëshortore janë shumë më të lehta në malësi. Steinmetz pohon se shkaku kryesor i gjakmarrjeve është “pabesia bashkëshortore e grave”. Ky studiues, shumë i besueshëm, shkruan si në vijim: “Udhëtarët e huaj të mëparshëm, të cilët theksuan moralin e rreptë të malësorëve dhe i lavdëruan si shembullorë, e bënë këtë nga një njohje sipërfaqësore e realitetit të gjërave. Sigurisht, nuk do të dëshironte askush të pohonte se njerëzit e malësisë janë përgjithësisht imoralë. Përkundrazi, si orientalët në përgjithësi, ata kanë pikëpamje shumë të rrepta për gjininë femërore dhe një vajzë e pamartuar nuk do të guxonte as të shkëmbente fjalë me një burrë. Por, është ndryshe për gratë e martuara. Gratë që tradhtojnë nuk janë aspak të rralla këtu”.

Në kapitullin tim mbi kostumet shqiptare, kam vërejtur se gratë e pamartuara mund të dallohen nga të martuarat në atë që të parat nuk veshin ngjyrën e kuqe, edhe pse rrobat e tyre përndryshe janë të njëjta.

Studiuesit kanë dhënë mendime shumë të ndryshme për paraqitjen e jashtme të grave shqiptare. Steinmetz pohon se ka mjaft fytyra tërheqëse, edhe pse fshatareske, ndër gratë e malësisë - ashtu siç ndodh edhe në vendin tonë. Baroni Nopcsa cili, nga ana tjetër, është më pak i sjellshëm, por ndoshta më i besueshëm, këmbëngul: “Martesat e hershme dhe puna e rëndë kanë ndihmuar që fizionomia, përgjithësisht e zakonshme e grave shqiptare, të shndërrohet në shëmtim brenda një kohe shumë të shkurtër. Edhe fytyrat më pak a më shumë të këndshme janë jashtëzakonisht të rralla”. Megjithatë, siç thekson baroni Nopcsa, për të qenë i drejtë, rrobat që veshin gratë lënë përshtypje të pafavorshme. Ato mund të përshkruhen si të shëmtuara dhe pa shije.

Vlen të theksohet se gratë shqiptare, madje edhe ato myslimane, nuk mbulohen kur dalin jashtë dhe nuk bëjnë përpjekje të shmangin apo të fshehin fytyrën dhe duart nga pamja e të huajve.

Është jashtëzakonisht e rrallë që një grua shqiptare të ulet në një vakt së bashku me mysafirë meshkuj. Në shtëpitë myslimane, gratë ndodhen në një dhomë tjetër me fëmijët, ndërsa mysafirët meshkuj rrallëherë i shohin ato. Përndryshe, dispozitat e Kuranit nuk merren shumë seriozisht nga gratë myslimane shqiptare; në çdo rast, ato nuk zbatohen.

Gratë shoqërojnë burrat në betejë, por shërbejnë më shumë si bartëse armësh dhe mallrash e jo si bashkëshorte të barabarta me ta. Gratë përdoren për qëllime negocimi. Ato gjithashtu varrosin të vdekurit dhe kujdesen për të plagosurit. Ka raportime se gjatë periudhave të luftimeve të ashpra dhe të egra mes shqiptarëve dhe malazezëve, gratë janë vrarë - më së shumti, me shumë gjasë, nga plumbat qorr.

Çdo shqiptar është i detyruar të martohet. Prandaj, ka shumë pak vajza të pamartuara. Megjithatë, ndodh herë pas here që vajzat të refuzojnë zgjedhën e martesës ose të mos jenë në gjendje të martohen për arsye familjare. Ato shkojnë atëherë në kishë dhe deklarojnë solemnisht se nuk do të martohen kurrë. Në këtë mënyrë, fitojnë të gjitha privilegjet e burrave dhe, nga ky moment e tutje, veshin rroba burrash dhe mbajnë armë. Këto vajza, të quajtura virgjëresha të betuara [burrnesha], janë nën mbrojtjen e kishës. Shumë prej tyre luftojnë për të përballuar punët e fermave që trashëgojnë nga etërit. Disa prej tyre janë shumë të kërkuara si këngëtare dhe udhëtojnë lirisht nëpër vend duke kënduar këngë vendase heroike. Shpesh ndodh që vajzat shpallen si virgjëresha të betuara për të shpëtuar pronën e familjes nga të afërmit, kur nuk ka trashëgimtarë të drejtpërdrejtë meshkuj në familje. Për më tepër, ky “ndryshim gjinie” është e vetmja rrugëdalje për një vajzë që dëshiron të shpëtojë nga fejesa e padëshiruar, pa e ekspozuar familjen e saj ndaj hakmarrjes së përgjakshme të një dhëndri të refuzuar.

Johann Georg von Hahn na rrëfen për më të famshmen ndër këto virgjëresha të betuara, Marlën e Perlatajt, të cilën xhaxhai e fejoi me një turk nga Luria kur ajo ishte ende fëmijë. Kur Marla mbushi shtatëmbëdhjetë vjet dhe turku kërkoi ta merrte, ajo doli para kuvendit të pleqve në fshatin e saj dhe deklaroi se turku do ta detyronte të ndërronte fenë. Për të shpëtuar shpirtin, ajo dëshiroi të bëhej burrë. Kërkoi nga xhaxhai armët e të atit dhe i mbajti ato deri në vdekje si “Pjetri i Perlatajt”. Një tjetër vajzë shqiptare, Marçala nga Lasa, ishte e dashuruar me një djalosh i cili, megjithatë, ishte fejuar që në fëmijëri me një vajzë tjetër. Kur djaloshi u detyrua të martohej me të fejuarën për të mos shkaktuar gjakmarrje me familjen e saj, Marçala “ndërroi gjini” dhe prej atëherë u quajt Gjin. /Telegrafi/

_______________

[1] Pjesë nga Paul Siebertz: Albanien und die Albanesen, Vienna 1910, fq. 144-147. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.