Integriteti i informacionit në hapësirën digjitale po bëhet çështje gjithnjë e më urgjente, duke ndikuar drejtpërdrejt në besimin publik dhe në barazinë shoqërore.

Gratë mbeten një nga grupet më të prekura nga dezinformimi me bazë gjinore, një fenomen që po thellohet me zgjerimin e platformave online.


Në këtë kontekst, Ambasadori gjerman Rainer Rudolph mori pjesë si folës në panelin hapës të konferencës vjetore Information Integrity Conference – DISICON 9, të organizuar nga National Democratic Institute (NDI).

Rudolph theksoi tri kërkesa thelbësore për të garantuar një hapësirë digjitale dhe mediale të barabartë për gratë dhe burrat:

Nevojiten udhëzime gjithëpërfshirëse për sjelljen e pranueshme në hapësirën digjitale, në mënyrë që të parandalohet abuzimi, sulmet gjinore dhe përhapja e dezinformimit.

Sipas tij, integriteti dhe liria e medias mund të mbrohen vetëm kur institucionet mediale janë të pavarura strukturalisht dhe financiarisht.

Rudolph nënvizoi se respektimi i të drejtave digjitale fillon nga veprimet e çdo individi.

“Çdo qytetar ka një rol në ruajtjen e një hapësire online të sigurt, të drejtë dhe të respektueshme.”

Konferenca DISICON 9 ka mbledhur ekspertë, diplomatë, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet ndaj dezinformimit në një periudhë ku ndikimi i teknologjisë në demokraci është më i madh se kurrë./Telegrafi/