Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në orët e hershme të mëngjesit të Krishtlindjes të vitit 1950, dekani i Abacisë së Uestminsterit në Londër, u zgjua për të zbuluar se shtëpia e tij ishte vizituar gjatë natës. Në vend që t’ia linin një dhuratë të këndshme, të panjohurit misteriozë ishin larguar me një nga objektet më të çmuara të Abacisë. Që nga kurorëzimi i Uilliam Pushtuesit në vitin 1066, Abacia kishte shërbyer si vend për ngjarje mbretërore; pika qendrore e këtyre ceremonive ishte Froni i Kurorëzimit prej druri, i cili kishte një gur të vendosur në bazën e tij. Ky nuk ishte një gur i çmuar që shkëlqente; Guri i Fatit, i njohur gjithashtu si Guri i Skonit, ishte një bllok i kuq ranor prej 150 kilogramësh - por, kishte një peshë më të madhe simbolike. Dhe, tani ishte hequr me forcë.


Dy ditë më vonë, dekani i zemëruar, Alan Don, bëri një apel solemn në radion e BBC-së lidhur me këtë "krim të pakuptimtë". Ai tha: “Ka qenë në Abaci për mbi 600 vjet dhe askush deri në këtë javë nuk e kishte guximin të vendoste duart e sakrilegjit mbi të. Ky relikt i çmuar ... është i dashur për miliona njerëz në të gjithë Komonuelthin dhe Perandorinë Britanike dhe jo më pak nga ata që, si unë, shohin në të simbolin e prejardhjes skoceze të mbretit tonë të dashur”. Ai premtoi: “Do të shkoj në skajet e Tokës për ta rikthyer”.

- YouTube

Dy ditë më vonë, buletini i lajmeve të BBC-së [BBC Newsreel] raportoi një të dhënë të mundshme; inicialet JFS "duket se janë gërvishtur rishtazi në fron, dhe mendohet se nënkuptojnë 'Justice for Scotland' [Drejtësi për Skocinë] dhe mbështesin teorinë se zhdukja e gurit është vepër e nacionalistëve ekstremë skocezë".

Grabitja e gurit nga mbreti Eduard I në vitin 1296 ishte ende një pikë e ndjeshme për disa skocezë, të cilët besonin se ai nuk kishte asnjë arsye të mbahej në Angli. Në fund të fundit, guri ishte përdorur në kurorëzimet e mbretërve skocezë për qindra vjet përpara se të merrej dhe të vendosej në fronin e kurorëzimit të gdhendur prej lisi të Eduardit.

Kur mbreti i Skocisë dorëzoi kurorën e tij përpara Eduardit I në vitin 1296, Guri i Fatit u sekuestrua dhe u transportua në UestminsterAlamy

Dëshmitë e grabitjes së mëngjesit të Krishtlindjes ishin të dukshme kur kamerat e BBC-së vizituan vendin. Narratori vuri në dukje “gjurmën e dëmtimit” që tregonte se si guri ishte nxjerrë nga froni dhe tërhequr jashtë. Gjurmët çonin te Këndi i Poetëve, ku janë varrosur ose përkujtuar shkrimtarët nga Geoffrey Chaucer te Charles Dickens. Një derë me dry atje ishte hapur me forcë, dhe besohej se guri ishte tërhequr jashtë në Millbank - një rrugë aty pranë në afërsi të lumit të Temzës. “Aty gjurma humbi”, tha ai.

Policia ngriti postblloqe dhe mbylli kufirin mes Skocisë dhe Anglisë për herë të parë pas 400 vjetësh. Hetuesit në Skotland-Jard - selia e policisë në Londër - punuan mbi teorinë se guri ishte hedhur në ujë. Bazuar në një informacion anonim, liqeni Serpentin në Hajd-Park u kontrollua dy herë. Ndërsa raporti transmetohej, u sollën pajisje shtesë për tërheqje për të nxjerrë një objekt që mendohej se mund të ishte gur. Por, ai tashmë kishte kohë që ishte zhdukur.

Shoqata e Besëlidhjes Skoceze, e themeluar për të kërkuar që Skocia të ketë parlamentin e vet, mohoi menjëherë përfshirjen. Në raportin e buletinit, kryetari i saj John MacCormick shihet duke buzëqeshur dhe duke ngritur një dolli me atë që mendohet të jetë uiski skocez. Ai nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur gëzimin, dhe kjo nuk ishte aspak befasi. Më vonë u zbulua se katër prej anëtarëve të rinj të shoqatës kishin kryer grabitjen e guximshme.

Në maj të vitit 1951, studentët e Universitetit të Glasgout - Ian Hamilton, Kay Matheson, Gavin Vernon dhe Alan Stuart - rrëfyen gjithçka në një intervistë në radion e BBC-së për atë që kishte ndodhur atë natë. Gjithçka nisi vonë në mbrëmjen e Krishtlindjes, kur tre djemtë hynë në Abaci ndërsa Mathesoni priste jashtë në njërën prej dy makinave për arratisje.

“Gjëja e parë që bëmë ishte të largonim pengesën që mbante publikun larg gurit”, ka thënë Vernoni. Ata e shkëputën gurin poshtë Fronit të Kurorëzimit dhe e vendosën në dysheme. Palltoja e Ian Hamiltonit u bë dyshek i improvizuar për ta tërhequr. Vernoni shtoi: “Alani dhe unë morëm secili një mëngë të palltos, dhe Iani mori njërin nga zinxhirët e gurit. Dhe, sapo ai e tërhoqi, guri u lirua”.

Froni i Kurorëzimit me Gurin e Fatit poshtë vendit të uljes, fotografuar në Abacinë e Uestminsterit në vitin 1937Alamy

Por, triumfi zgjati për pak kohë. Ndërsa po e tërhiqnin gurin e rëndë, ai u ça në dy pjesë. “Më kujtohet sa i tmerruar isha”, pranoi Hamiltoni. “Kishim kaluar 400 milje dhe aty, sapo e tërhoqëm gurin, ai u nda”. Pa e ditur ata, gati katër dekada më parë një sulm me bombë nga një sufraxhete mund ta ketë dobësuar gurin. Në mes të kaosit, Hamiltoni kapi fragmentin më të vogël - që peshonte ende rreth 41 kilogramë - dhe vrapoi jashtë Abacisë duke e mbajtur si një top të ragbit.

Jashtë, Mathesoni lëvizi makinën përpara për të paralajmëruar se një polic po afrohej. Për pak çaste, ai ishte përballë tyre. Hamiltoni u hodh në ulësen pranë asaj, mbuloi gurin e thyer me një pallto të vjetër dhe trilloi një histori se ishin të dashuruar të rinj që nuk kishin ku të shkonin në natën e Krishtlindjes. Oficeri, larg çdo dyshimi, hoqi helmetën, ndezi një cigare dhe bisedoi miqësisht, pastaj i la të largoheshin.

Mathesoni e lehtësuar, u largua vetëm, por në një semafor rreth dy milje larg nga Abacia, ajo bëri një ndalesë të papritur që bëri që guri të rrokullisej në rrugë. “Fatmirësisht ishte i mbështjellë me leckë, ndaj nuk u dëmtua”, tha ajo. Hamiltoni u mahnit: “Si e ngrite atë gur që peshonte 90 paundë [41 kilogramë] dhe e vure në bagazh të makinës, këtë nuk e di”.

- YouTube

E tronditur, Mathesoni vazhdoi rrugën, duke e lënë segmentin e gurit te një mik anglez në Birmingem. Ndërkohë, me shumë vështirësi, tre djemtë e tjerë futën pjesën më të madhe të gurit në makinën e dytë dhe u larguan nga vendngjarja. Të pasigurt për hapin tjetër, ata e varrosën atë pranë një pylli në Roçester të Kentit dhe u kthyen në shtëpi. Por, filluan të shqetësoheshin se guri, që ishte mbajtur brenda për 654 vjet, nuk do ta përballonte mirë të ftohtin e dimrit.

Hamiltoni i tha BBC-së në programin Witness History, në vitin 2018, se kur ata u kthyen për ta rimarrë atë në natën e Vitit të Ri, ose Hogmanaj, gjetën një kamp të vendosur nga udhëtarët [traveller - nomadë romë të Britanisë] “pikërisht aty ku ishte guri”. Ata i bindën të ndihmonin për ta mbajtur gurin deri te makina e tyre, dhe udhëtarët nuk i treguan kurrë policisë për ta.

Guri kaloi kufirin drejt Skocisë, për herë të parë që nga viti 1296, dhe iu dorëzua John Rollos - një biznesmen nga Haj-Bonibrixhi pranë Follkërkut. Ai pranoi me një kusht: “Askush përveç meje nuk do ta dijë ndonjëherë ku ndodhet, sepse një sekret është sekret vetëm kur është me një person të vetëm”. Policia nuk e zbuloi kurrë historinë e tij të vërtetë. Kur u intervistua nga BBC në vitin 1971, ai këmbënguli që regjistrimet të mbaheshin të fshehta deri në vdekjen e tij. Besnikë ndaj fjalës së dhënë, intervista nuk u transmetua deri në vitin 1986. Si nënkryetar i Shoqatës së Besëlidhjes Skoceze, hetuesit dyshuan se mund të ishte i përfshirë dhe e vizituan fabrikën e tij disa herë. Nuk e dinin që ai po fshihte pjesën më të vogël të gurit të thyer në zyrën e tij, nën tryezën e punës.

Të dy pjesët duhej të ribashkoheshin dhe restaurimi u mbikëqyr nga Bertie Gray, një politikan nacionalist që për fat ishte gjithashtu murator guri. U zbulua në nëntor të këtij viti se Gray u kishte dhuruar fragmente të mbetura bashkëpunëtorëve të tij personalë dhe politikë.

Ndërsa riparimi vazhdonte, shpërthyen debatet për se çfarë duhej të bëhej pasi rregullimit. MacCormick arsyetoi se fushata e Besëlidhjes tashmë kishte marrë publicitet të paçmueshëm, por kishte frikë nga largimi i mbështetësve që respektonin mbretin George VI dhe nga ekspozimi i shoqatës nëse ndiqeshin penalisht. Një vend simbolik u zgjodh për rikthimin më 11 prill 1951. Guri u la në abacinë e rrënuar Arbroth, vendi i një deklarate të vitit 1320 që bënte thirrje për të drejtën e skocezëve për të qeverisur veten. Kujdestari i abacisë, z. Wishart, i tha buletinit se tre burra mbërritën me një makinë dhe e sollën atë brenda në një mbajtëse druri. Policia e transportoi atë përsëri në jug të kufirit, ndërsa juristët e lartë vendosën se çfarë do të bënin me autorët.

Në atë kohë, edhe dekani i zemëruar i Uestminsterit ishte qetësuar. Ai i tha gazetës London Daily News: “Më vjen keq për mënyrën se si u hoq nga Froni i Kurorëzimit, por nuk kam asnjë mërzi ndaj njerëzve që e morën. Jam i kënaqur që u kthye në këtë mënyrë vullnetare”.

Kay Matheson mori pjesë në një ceremoni në Kështjellën e Edinburgut që shënoi kthimin zyrtar të Gurit të Fatit në Skoci në vitin 1996Kredi: Alamy

Tre ditë më vonë, më shumë se 30 mijë tifozë skocezë të futbollit zbarkuan në Londër për të parë ekipin e tyre - duke mundur Anglinë 3-2 në Kampionatin Kombëtar. Pas ndeshjes, buletini i BBC-së ndoqi shumë prej tyre teksa shkonin në Abacinë e Uestminsterit me shpresën për të parë gurin e famshëm. Autoritetet nuk rrezikuan dhe e mbajtën atë të mbyllur jashtë pamjes, nën roje shtesë policore.

Më 19 prill, prokurori i përgjithshëm, Hartley Shawcross, i tha Parlamentit se kishte vendosur se nuk ishte në interesin publik të krijoheshin martirët apo heronjtë duke ndjekur penalisht ata që qëndronin prapa këtyre “akteve vulgare të vandalizmit”. Mes të qeshurave nga disa kolegë, deputeti i South-Ershërit, Emrys Hughes, sugjeroi që, më shumë se vandalizëm, “shumë njerëz në Skoci e konsiderojnë si përpjekje për të rikthyer një pronë të vjedhur”.

Guri u vendos përsëri në Abacinë e Uestminsterit dhe në qershor të vitit 1953, froni i mbretit Eduard - me Gurin e Fatit poshtë tij - u shfaq në televizion në të gjithë botën gjatë kurorëzimit të mbretëreshës Elizabeth II. Por, ky nuk ishte fundi i historisë. Në vitin 1996, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, John Major, bëri atë që katër studentët kishin synuar më shumë se katër dekada më parë; vendosi të kthente gurin në Skoci, por vetëm me kushtin që ai të rikthehej për çdo kurorëzim të ardhshëm.

Në një ceremoni në Kështjellën e Edinburgut, në Ditën e Shna Ndreut, guri u zbulua zyrtarisht. Ian Hamilton nuk mori pjesë, por bashkëpunëtorët e tij ishin aty. Alan Stuart uroi organizatorët për “një punë shumë më të mirë se ne në vitin 1950”. Gavin Vernon i tha BBC-së se ishte ende mirënjohës që “Skotland-Jardi nuk ishte aq efikas sa do të duhej të kishte qenë, sepse ata është dashur të na kapnin brenda disa ditësh”.

Sa për Kay Mathesonin, asaj nuk i prishte punë vendndodhja e shtëpisë së re të gurit: “Qoftë në Stornouej apo në Invernes apo në Edinburg, për sa kohë që është në Skoci, unë jam e lumtur”. /Telegrafi/