Frika më e madhe është konfirmuar për Real Madridin. Rodrygo Goes ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) dhe këputje të meniskut lateral në gjurin e djathtë, duke i dhënë fund sezonit aktual dhe duke humbur pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës me Brazilin.

Sulmuesi brazilian iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë mëngjes, pas shqetësimeve që ndjeu gjatë ndeshjes kundër Getafes.


Në raportin mjekësor të publikuar nga Real Madridi thuhet: “Pas testeve të kryera sot nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, Rodrygo është diagnostikuar me këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe këputje të meniskut lateral në gjurin e djathtë”.


Rodrygo u rikthye në fushë kundër Getafes pas gati një muaji mungesë për shkak të një dëmtimi në tendinë.

Ai hyri në lojë në minutën e 54-të, por në fund të takimit u pa duke shtrënguar gjurin e djathtë, ku kishte filluar të ndiente dhimbje.

Edhe pse arriti ta përfundonte ndeshjen, ekzaminimet e detajuara zbuluan dëmtimin e rëndë.

Situatë alarmante për sulmin e Realit

Me këtë dëmtim, Real Madridi mbetet me opsione shumë të kufizuara në repartin ofensiv. Aktualisht, Vinicius Jr dhe Gonzalo janë sulmuesit e vetëm në dispozicion për ndeshjen e radhës, pasi Mbappé është i lënduar dhe Mastantuono i pezulluar.

Sa zgjat rikuperimi?

Dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar anterior konsiderohet ndër më seriozët në futbollin profesionist dhe pothuajse gjithmonë kërkon ndërhyrje kirurgjikale.

Procedura më e zakonshme është rindërtimi i ligamentit përmes artroskopisë, duke përdorur indin e vetë lojtarit.

Sipas specialistëve, rikthimi në stërvitje mund të ndodhë pas disa muajsh, por rikthimi i plotë në gara zakonisht kërkon nga 9 deri në 12 muaj.


Minimumi mjekësor është rreth 6 muaj, por ekspertët rekomandojnë një periudhë më të gjatë për të shmangur rikthimin e dëmtimit.

Carlo Ancelotti, duhet tani të mendojë për një sulmues anësor tjetër, edhe pse Rodrigo ishte i besuari i tij./Telegrafi/

telegrafi sport app