Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur një veturë e godet një gjyshe 62-vjeçe dhe nipin e saj trevjeçar që ishte në karrocë, derisa dyshja po e kalonin rrugën në vija të bardha në Bronx të New Yorkut, dhe atë në mes të ditës.

Departamenti i policisë së New Yorkut të shtunën ka arrestuar burrin që dyshohet të jetë shoferi i veturës, që nuk u ndal pavarësisht që e shkeli gjyshen dhe nipin në karrocë, transmeton Telegrafi.

Otello Rapini, 69-vjeç nga Mahopac, New York, akuzohet për largim nga skena e aksidentit. E ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën Eastchester, Bronx.

Për fat të mirë fëmija dhe gjyshja nuk kanë pësuar ndonjë lëndim serioz. Vogëlushi është trajtuar për prerje në pjesë të ndryshme të trupit.

Në anën tjetër, gjyshja e tij ka pësuar mavijosje nëpër këmbë dhe disa gërvishtje në kraharor nga goditja, që ka mundur të jetë fatale për të. /Telegrafi/