Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), në seancën e mbajtur sot, ka marrë vendim për emërimin e trajnerit të ri të ekipit kombëtar. Detyrën e selektorit do ta marrë Goce Sedloski, njofton Telegrafi.

Vendimi është marrë me propozim të Komitetit për Zgjedhjen e Trajnerit, i përbërë nga presidenti i FFM-së, Masar Omeragiq, drejtori i ekipeve kombëtare, Goran Pandev, kryetari i shërbimit të vëzhgimit, Nikolçe Noveski, anëtari i Bordit Drejtues, Agim Ibraimi, si dhe zëvendëspresidenti Marjan Stojkovski.


Goce Sedloski është një nga emrat më të njohur në historinë e futbollit vendor. Ish-kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisës duke regjistruar 100 paraqitje dhe ka shënuar 8 gola, duke u bërë futbollisti i parë që arrin shifrën e 100 ndeshjeve për përfaqësuesen.

Sedloski ka qenë më herët pjesë e stafit teknik të përfaqësueses. Në gusht të vitit 2012, ai e drejtoi Maqedoninë si ushtrues detyre në ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë në Shkup, e cila u fitua me rezultat 1:0.

Në karrierën e tij si trajner, Sedloski ka ushtruar detyrën e ndihmëstrajnerit dhe trajnerit të përkohshëm të Maqedonisë, ndërsa në nivel klubesh ka drejtuar Horizont Turnovon, Vardarin, Rigën në Letoni, Shiroki Brijegun në Bosnjë e Hercegovinë, ekipin e dytë të Dinamo Zagrebit në Kroaci, Shkupin, si dhe Vllazninë në Shqipëri.

Gjatë karrierës së tij trajneriale, Sedloski ka fituar tre tituj kampioni: dy me Vardarin në sezonet 2015/16 dhe 2016/17, si dhe një me Shkupin në sezonin 2021/22. Në sezonin 2024/25, ai fitoi edhe Kupën me Vardarin.

Si futbollist, Sedloski ka ndërtuar karrierë të pasur brenda dhe jashtë vendit. Duke luajtur me Bratstvo Gorno Konjari dhe Pitu Guli Krushevë, për të vazhduar te Pobeda e Prilepit. Më pas, ai luajti për Hajdukun e Splitit dhe Dinamo Zagrebin. Karrierën e vazhdoi te Sheffield Wednesday në Angli, ndërsa përvojë ndërkombëtare fitoi edhe në Japoni me Vegalta Sendai, në Turqi me Diyarbakirspor dhe në Austri me Mattersburgun.

Promovimi zyrtar i Goce Sedloskit si trajner kryesor i përfaqësueses së Maqedonisë do të mbahet nesër (të martën), duke filluar nga ora 11:30, në hotelin “Hilton” në Shkup. /Telegrafi/

telegrafi sport app