Thashethemet kanë qarkulluar për javë të tëra, dhe tani është zyrtare: Serge Gnabry ka nënshkruar një kontratë të re me Bayern Munich, duke vazhduar bashkëpunimin e tij afatgjatë me kampionët gjermanë.

Sipas njoftimit të klubit, kontrata e re e 30-vjeçarit do të zgjasë deri në vitin 2028, duke përfshirë një ulje page – Gnabry pritet të marrë 15 milionë euro në sezon, nga 18 milionë euro që paguhej më parë.


Lojtari ka qenë titullar i rregullt që nga fillimi i sezonit dhe ka fituar kontratën e tij të re për shkak të paraqitjeve të shkëlqyera.

Reprezentuesi gjerman është shprehur shumë i lumtur me rinovimin e kontratës me Bayernin, duke shuar zërat për një largim të mundshëm.

"Jam i kënaqur që do të luaj për Bayernin për disa vite të tjera. Diskutimet ishin gjithmonë pozitive".

"Qëllimi im është të vazhdoj në këtë mënyrë: Ne jemi një njësi e vërtetë dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha. Arsyet për zgjatjen e kontratës janë ekipi, stafi i trajnerëve, i gjithë klubi, tifozët, qyteti, ndihem shumë rehat te FC Bayern”, tha Gnabry.

Serge Gnabry u transferua nga Werder Bremen në Munich në vitin 2017 dhe pas një periudhe huazimi te TSG Hoffenheim, ai nisi karrierën e tij të shkëlqyer te Bayern Munich.

Përveç fitimit të Ligës së Kampionëve në vitin 2020, Gnabry ka fituar 6 tituj të Bundesligës, 2 Kupa DFB dhe shumë trofe të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me fanellën e Bayernit. /Telegrafi/

telegrafi sport app