Gjyshja e 'vdekur' nga Tajlanda zgjohet në arkivol dhe godet kapakun pak momente para se të digjej

Një gjyshe tronditi familjen e saj të pikëlluar, pasi u ‘rikthye’ në jetë dhe goditi kapakun e arkivolit të saj vetëm pak çaste para se të fillonte procesi i djegies.
Chonthirot, 65 vjeç, u shpall e vdekur në shtëpinë e saj në Phitsanulok, Tajlandë veriore, në orët e para të 23 nëntorit, transmeton Telegrafi.
Duke besuar se ajo kishte ndërruar jetë në paqe, familja e saj e vendosi atë në një arkivol të bardhë dhe filloi udhëtimin katër-orësh, 225 milje, drejt një tempulli në periferi të Bangkokut, i cili ofron shërbime falas për djegie dhe funeral për të varfrit.
Por gjyshja "e pajetë" thuhet se u zgjua brenda arkivolit të saj kur kamioni mbërriti në tempull, duke habitur të afërmit kur ajo filloi të trokiste në dru.
Pamjet tregojnë Chonthirot-in e hollë duke lëvizur në arkivol dhe duke fshirë mizat nga fytyra e saj, ndërsa familja e saj e shikonte me mosbesim.
Vëllai më i vogël i Chonthirot, Mongkol, 57 vjeç, tha se ajo kishte qenë e shtrirë në shtrat për dy vjet dhe u gjet "e vdekur" në orën 2 të mëngjesit.
Ai shtoi se kishte nënshkruar edhe dokumente që konfirmonin vdekjen e saj, të cilat ia dorëzoi murgut budist që do të kryente shërbesën.
"Isha i tronditur, i befasuar dhe i lumtur që motra ime ishte ende gjallë. Gati sa nuk humba vetëdijen nga befasia. Është një mrekulli që ajo u zgjua", shtoi ai.
Punonjësi i tempullit, Thammanoon, 27 vjeç, tha se ishte gati ta zhvendoste kutinë prej druri në sallë për ceremoninë e shkurtër para djegies kur dëgjoi trokitje dhe një britmë të lehtë për ndihmë që vinte nga brenda.
"E hoqa copën që e mbulonte dhe ngriva kur pashë se ajo ende lëvizte. Ajo ishte e vetëdijshme, merrte frymë dobët dhe tundte kokën, por nuk ishte në gjendje të fliste. U habita sepse nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë më parë", shtoi ai.
Një autoambulancë mbërriti më vonë për të çuar Chonthirotin në spitalin Bang Yai. Tempulli Wat Rat Prakhong Tham tha se do të mbulonte shpenzimet e saj mjekësore.
Abati i tempullit Phra Kitti Wachirathada tha se nuk kishte parë kurrë një incident të tillë gjatë viteve të tij në tempull, duke shtuar se ishte i lumtur për familjen, të cilës i ishte dhënë një shans i dytë me Chonthirot. /Telegrafi/

















































