LAJMI I FUNDIT:

Gjyqtarja Makifete Saliuka zgjedhet zëvendëskryesuese e KGJK-së

Gjyqtarja Makifete Saliuka zgjedhet zëvendëskryesuese e KGJK-së

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, njëherit anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Makifete Saliuka është zgjedhur zëvendëskryesuese e KGJK-së.

Në mbledhjen e Këshillit të mbajtur të mërkurën, pas votimit të fshehtë, Saliuka është zgjedhur zëvendëskryesuese e KGJK-së me gjithsej 9 vota, përderisa anëtarja tjetër, gjyqtarja Anita Prenaj-Krasniqi ka marrë vetëm një votë.

Sipas Ligjit për KGJK-në, mandati i zëvendëskryesuesit të KGJK-së është 3 vite dhe se në këto raste nuk zgjatet mandati i anëtarit të këtij Këshilli.

Neni 11 i ligjit në fjalë përcakton se “zgjedhja e anëtarit të KGJK-së si kryesues apo zëvendëskryesues nuk e zgjat mandatin e anëtarit të KGJK-së”.

Në këtë mënyrë, Saliuka do të mbajë pozitën e anëtares së KGJK-së deri në gusht të vitit 2020, kur edhe i përfundon mandati 5 vjeçar.

Në anën tjetër, zgjedhja e Saliukës në këtë pozitë nënkupton edhe një gjyqtare më pak në Gjykatën e Apelit, pasi gjatë kësaj kohe, zëvendëskryesuesi angazhohet me orar të plotë në KGJK.

Neni 12, paragrafi 2 i Ligjit për KGJK-në përcakton se “kryesuesi, zëvendëskryesuesi, kryetari i Komisionit për Çështje Normative, kryetari për Çështjen e Vlerësimit të performancës dhe kryetari për administrimin e gjykatave, shërbejnë në Këshill me kohë të plotë dhe pezullojnë detyrën e gjyqtarit”.

Ndryshe në takimin e së mërkurës, KGJK e ka caktuar gjyqtarin Valon Kurtaj si udhëheqës të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe gjyqtarin Vaton Durguti si udhëheqës të këtij departamenti pranë Gjykatës së Apelit.KGJK poashtu ka marrë vendim që gjyqtarët e këtij departamenti t’i kenë në dispozicion 24 orë veturat zyrtare, si dhe ka miratuar Raportin Përfundimtar për Zgjedhjen e Gjyqtarëve në Departament Special. /Betimipërdrejtësi/Telegrafi/