Gjyqësia e korruptuar, një furrë që shkrihen gjynahet e të gjithëve. Të gjithë konstatojnë se gjyqësia është e korruptuar, përfshirë këtu edhe kryeministrin Thaçi, të gjithë shfryhen duke e akuzuar gjyqësinë, kjo po ndodhë tash e dhjet vjet dhe asgjë s’po ndryshon. Atëherë, çka i mungon këtij konstatimi?

Raport pas raporti, organizatë pas organizate, parti pas partie, kanë marrë “guximin” të shprehin një të vetmen gjë, gjyqësia dhe drejtësia në Kosovë është më e korruptuara, më e dështuara. Madje në një moment këtë deklaratë e pat bërë edhe vetë kryeministri Hashim Thaçi duke e shpallur gjyqësinë kosovare të dështuar, të korruptuar, të pavlefshme, si të ishte fjala për sistemin serb ose tajvanez të drejtësisë!

Çka kemi bërë nëse edhe një politikan, edhe një organizatë, edhe një individ e kualifikon gjyqësinë si të dështuar e korruptuar? Ne si shoqëri civile, a është fer të vazhdojmë të bëjmë një shenjë “nike” në listën e aktiviteteve të përcaktuara në projektet e donatorëve dhe të kënaqemi duke e përsëritur atë që në fund të fundit e ka thënë edhe vetë kryeministri Thaçi? Pse nuk pyesim ndonjëherë, si është e mundur kjo, dhjetë vjet, vit pas viti, të gjithë janë kënaqur duke u zbrazur mbi gjyqësorin dhe të gjithë, edhe gjyqësori, kanë dalë pa një therrë në këmbë? A pyet kush ndonjëherë këtë pyetje, pse duhet të shpenzojmë një dekadë me një konstatim të vetëm se gjyqësori qenka i korruptuar? Çka po mungon këtu?

Ajo që dihet është se pothuaj se të gjitha pushtetet në Kosovë janë të korruptuara, por ne po mjaftohemi që thjesht të themi se gjyqësori është më i korruptuari. Pse? Sepse ky konstatim është i lehtë dhe pa pasoja. Ky konstatim nuk ka as edhe një konsekuencë të vetme, për askënd! Pikërisht, për askënd, as për ata që akuzohen, gjyqtarët e prokurorët. Si qenka e mundur kjo? Kjo ka një shpjegim të thjesht. Të gjithë mund të gjuajnë gurë në gjyqësi dhe për këtë të mos ketë askush pasoja dhe as vetë gjyqësia duke qenë se askush nuk e di e as dëshiron ta dijë përgjigjen në pyetjen: kush e ka nën kompetencë gjyqësinë kosovare?

Natyrisht ka përgjigje në këtë pyetje, por praktika është ndërtuar në atë mënyrë që çdokush mund të japë përgjigjen që dëshiron. Kryeministri mund të thotë se për këtë është përgjegjëse EULEX-i dhe madje edhe mund t’ia ngarkojë fajin partnerit të tij në koalicion, LDK-së, meqë ministrinë e drejtësisë e ka kjo parti, EULEX mund të thotë se kompetencat në këtë fushë janë bartur tek institucionet e Kosovës dhe se EULEX ka kompetenca vetëm në raste e fusha specifike të gjyqësisë, UNMIK-u mund t’ia fus një “phiiiii, mua edhe ashtu të gjithë më kanë shpallur të dështuar e disa edhe inekzistentë”.

Prandaj është e mundur sot që i pari i vendit të hedh gurë në gjyqësi, shoqëria civile të hedhin çdo një ose dy javë gurë po në gjyqësi, ndonjë gazetarë të bëjë ndonjë shkrim të rreptë për gjyqësinë, e ndonjë analist ta kryqëzojë atë! Por, prapë po them, çka mungon në këtë mes? Checks and balances? Është për tu çuditur si harrohet kjo, sidomos nga shoqëria civile, duke qenë se në shumë aspekte ne flasim me një gjuhë që thjesht është kopjuar nga shtetet perëndimore, dhe “checks and balances” është një term esencial, sidomos në Amerikë, atë që kemi dhe për zemër ta marrim si shembull.

Çka po dua të them? Në Kushtetutën amerikane, thuhet se nëse një degë e pushtetit, nga tri sa i kanë, fillon të punojë kundër funksionit për të cilin është krijuar, është e drejt e popullit amerikan ta terminojë atë. E populli amerikan përfaqësohet nëpërmjet degëve të ndryshme të pushtetit, kështu që nëse për shembull gjyqësia fillon të punojë kundër rolit të saj, janë Senati e Kongresi dhe presidenti ata që do ta terminonin një strukturë që ka manipuluar këtë degë të pushtetit. Po në Kosovë? Imagjinojeni presidentin amerikan si udhëheqës të pushtetit ekzekutiv të denoncojë gjyqësorin si të korruptuar e të dështuar dhe njëkohësisht të flasë për suksese në ndërtimin dhe fortësimin e shtetit, siç bën rëndom kryeministri Thaçi. E pamundur natyrisht! Mirëpo, kryeministri jonë sigurisht se e di ç’bën. Ai thjesht e hedh karremin dhe pret që aty të bien peshq llojesh të ndryshme, nga sektori i medias, shoqërisë civile, apo edhe analistë, apo madje edhe oponentë të tij në politikë. Deri tashti peshkimi ka qenë i suksesshëm. Në këtë mënyrë qeveria nuk shihet e korruptuar, por gjyqësori. Sado që gjyqësori është i korruptuar para së gjithash për shkak se qeveria dhe kuvendi janë të korruptuar.

Nëse gjyqësori vazhdon të jetë i korruptuar e i dështuar për dhjetë vjet me radhë ekzekutivi dhe legjislativi nuk mund të jenë jashtë çfarëdo përgjegjësie. Realiteti është i thjesht. Gjyqësori e ekzekutivi i shkelin syrin njëri-tjetrit dhe politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët shndërrohen në milionerë brenda nate. Bagëtia në numër, të gjithë të lumtur. Ne bëjmë sikur monitorojmë qeverinë, e konstatojmë se më e korruptuara është gjyqësia, qeveria bën sikur po mundohet ta luftojë korrupsionin, por se disi gjithçka po dështon në gjyqësi. Pra, gjyqësinë e kemi shndërruar në një gropë qereçi ku i gjuajmë gurët për t’i shkrirë. Ktë e bëjmë sa për të shkarkuar ndërgjegjen edhe pse e dimë mirë se njëri nga ne që gjuan gurë i ka mëkatet pikërisht në atë gropë. Me rëndësi është të bëjmë shenjën “nike” në listën e aktiviteteve që i kemi shkruar diku.

Sa për ta ilustruar. Si është e mundur që dikush të dalë me një monitorim të gjyqësisë dhe të mos e bëjë pyetjen pse pikërisht në fushatë parazgjedhore gjyqësia ka filluar dy raste me peshë – rasti i kuvendit të dhunshëm të LDK-së dhe ai i ish-ministrit Agim Veliu? Ose si është e mundur që gjyqësori të mos fillojë hetimet në rastin kur për tenderin për përmirësimin e imazhit të Kosovës shpërblehet me çmim dyfish më të madh sesa ofertuesi i dytë, kompania që i ka bërë fushatën kryeministrit? Si bëhet që tre milionë fletëvotime të shtypen në Slloveni kur Kosova ka përplot me shtypshkronja?

Ndonjë gurëthyes, aso të kualitetit të lartë, jugosllav, mund të përgjigjet se për shembull fletëvotimet janë shtypur në Slloveni për arsye sigurie. Qëndron kjo? Shtypshkronjat kosovare kanë shtypur pullat postare që kanë një kundërvlerë si bankënota, pse nuk i shtypkan fletëvotimet? Pra, këto pyetje kryesisht ngelin pa përgjigje dhe ne vazhdojmë të bëjmë sikur përmbushim rolin tonë në shoqëri edhe pse pothuaj se shumë sektorë tashmë kanë filluar të punojë në kundërshtim me rolin e tyre. Ani çka? Na s’jemi Amerikë. Na veç dum ta marrim shembull Amerikën.

(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)