Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, sot vazhdon seanca e radhës ndaj Naim Murselit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot zhvillohet seanca e radhës gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt, ngjarje që tronditi opinionin publik në fund të vitit 2023.
Seanca pritet të nisë në orën 09:00.
Në seancën e fundit të mbajtur me 22 shtator, u dëgjuan ekspertetët e psikiatrisë pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Dr. Shpend Haxhibeqiri dhe Dr. Bujar Obërtinca.
Ekspertët konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. /Telegrafi/


































