Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, kanë dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë që rëndojnë mbi ta. Vëllezërit Nexhat e Jeton Vllasaliu po dyshohen për vrasjen e tij.

Në seancën e së premtes (25.05.2025) ka vazhduar ta japë mbrojtjen i akuzuari, Nexhat Vllasaliu.


Vllasaliu thotë se nuk e ka njohur Bedri Rexhepin dhe se po akuzohet për vrasjen e një personi “që nuk e ka njohur.”

“Unë mbeta në burg pa hile, pa hak, pa i bë asgjë kërkujna. Akuzohem për një njeri që kurrë në jetë se kam pa, as nuk kam dëgju për të. Nëse vëllai im e ka pas shok, ai mundet me i pasë edhe 100 shokë por unë munda mos me i njoftë”- tha i akuzuari Nexhat Vllasaliu.

Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi gjatë seancës tha se ka pranuar propozime për prova të reja.

Prokurori i shtetit, Armend Hamiti ka prezantuar para Ggykatës një audio-incizim që sipas tij është nga një takim i të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu me familjarët e viktimës, Bedri Rexhepi dhe si ndërmjetuesues hoxha, Mulla Osmani.

“Takimi ka qenë një orë e diçka. Aty ka qenë Nexhat Vllasaliu, si ndërmjetësues hoxha i Drenasit, Mulla Osmani dhe familjarë të Bedrisë. Aty dëgjohet Nexhat Vllasaliu duke treguar dhe duke tentuar që të bind se nuk ka njohuri për vrasjen dhe se nuk beson që vëllai i tij është i involvuar. Zëri është i tij. Mos të harrojmë që audio-incizimi është bërë pas arrestimit të Jetonit. Nëse veç di diçka 10 ‘gjaqe’ ua kam borxh u thotë familjarëve kurse gjatë pyetjeve qe janë parashtruar këtu insiston që ka thënë vetëm ‘një gjak borxh’ dhe sikur Policia i shton këto ‘gjaqet’ tjera”- ka thënë prokurori Hamiti.

Avokati i të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu, Shemsedin Piraj ka kundërshtuar këtë provë. Ai tha se nga audio-incizimi nuk dëgjohet se kush po flet.

“Me vëmendje e dëgjova këtë audio-inicim që e ka bërë vëllai i të ndjerit, mirëpo nga përmbajtja fare nuk dihet se çka po flet, në realitet dëgjohen disa zëra, nuk po dëgjohet zëri i të akuzuarit Nexhat. Unë konsideroj që Nexhati prej fillimit ka qenë i interesuar për me zbulu të vërtetën. Kjo provë konsideroj që nuk ka forcën e provës nuk është provë që mundet të përdorim. Unë nuk e kuptova asgjë”- ka thënë Piraj.

Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi në fund të seancës pyeti të pranishmit nëse kanë prova të tjera për të prezantuar dhe të njëjtit u përgjigjen se jo.

Bytyqi tha se gjykata do të administrojë sipas detyrës zyrtare një provë materiale që është pjesë e shkresave të lëndës, shkresë kjo e shkruar nga viktima, Bedri Rexhepi.

“Sipas detyrës zyrtarë do të administrojmë provë materiale që është pjesë e shkresave të lëndës për të cilën shkresë është shkruar nga i ndjeri, Bedri Rexhepi, në të cilën shkruhet si në vijim, 1) Range Rover, në shumë 20 mijë euro dhe 2) BMW-X3, 10 mijë euro, edhe shuma në tërësi 30 mijë euro”- ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Për këtë shkresë, avokatët e palëve thanë se nuk e posedojnë ndërsa më pas u pajisën më të.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 12.05.2025 nga ora 14:00.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi (kryetare e trupit gjykues) dhe dy anëtarët Gent Beka dhe Agim Kuqi. Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Misteri i zhdukjes së biznesmenit ishte hulumtimi të cilin e kishte transmetuar emisioni “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2021.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij. Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale. Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave./Kallxo.com