Gjykata në Prizren shpall fajtor një person për luftim të qenve, e dënon me 300 euro gjobë

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor personin me inicialet I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve, duke e dënuar me 300 euro gjobë.
Lajmi është bërë i ditur nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, i cili ka njoftuar se rasti është iniciuar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga kjo organizatë.
“Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 euro”, thuhet në njoftimin e Fondacionit.
Nga kjo organizatë kanë shprehur zhgënjim për faktin se, sipas tyre, rastet e luftimit të qenve deri më tani kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë. Megjithatë, e kanë vlerësuar faktin që gjykata ka konstatuar fajësinë e të dënuarit.
“Ndonëse mbetemi të zhgënjyer që deri më tani, rastet e luftimit të qenve kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë, e vlerësojmë faktin që gjykata e ka njohur veprën e shkaktuar dhe ka konstatuar fajësinë e të pandehurit”, thuhet në reagim.
Fondacioni ka ngritur shqetësimin se në raste të tilla, krahas dënimit, nuk po përfshihen edhe masat që, sipas organizatës, parashihen me ligj, përfshirë konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për mbajtjen e tyre në të ardhmen.
“Megjithatë, mbetet shqetësuese që në këto raste, pavarësisht se gjykatat kanë konstatuar fajësinë për luftim të qenve, në aktgjykime nuk po përfshihen edhe masat e parapara me ligj, konkretisht konfiskimi i kafshëve dhe ndalimi i personit të dënuar për mbajtjen e kafshëve në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Sipas Fondacionit, Neni 16 i Ligjit Nr. 08/L-188 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal parasheh konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për mbajtjen e tyre.
Organizata ka bërë thirrje që në rastet e ardhshme të luftimit të qenve të zbatohen, përveç përgjegjësisë penale, edhe masat e tjera të parapara me ligj.
“Zbatimi i plotë i këtyre dispozitave është i domosdoshëm si masë parandaluese, për të shmangur përsëritjen e veprave të tilla dhe për të parandaluar që kafshët të ekspozohen përsëri ndaj të njëjtit abuzim dhe të njëjtit cikël të keqtrajtimit”, ka theksuar Fondacioni.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se po angazhohet për forcimin dhe krijimin e mekanizmave shtesë institucionalë, me qëllim që kafshët e abuzuara të mund të konfiskohen dhe të mos mbeten te personat që i kanë keqtrajtuar.
Në fund, organizata ka falënderuar qytetarët që raportojnë rastet e abuzimit me kafshë, duke theksuar se raportimi është i rëndësishëm për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të tilla. /Telegrafi/









































