Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si tërësisht në përputhje me Kushtetutën ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të miratuar nga Qeveria në vitin 2023.

Në fokus të këtij vendimi ishte shtesa e skemës së Pensionit Kontributiv Parcial për qytetarët e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90, një masë që Qeveria e Kosovës e kishte konsideruar të domosdoshme për të adresuar padrejtësitë historike.


“Gjykata Kushtetuese ka gjetur se ndryshim/plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti i bërë nga Qeveria në vitin 2023 është në përputhje me Kushtetutën”, shkroi Murati në një postim në rrjetet sociale.

Ministri shtoi se ky është rasti i tretë që Gjykata Kushtetuese konfirmon kushtetutshmërinë e ligjeve të propozuara nga Qeveria, pas Ligjit për Pagën Minimale dhe Ligjit për Tatimin në Pronë, të cilat po ashtu ishin kontestuar nga opozita.

Ky sipas Muratit përforcon qëndrimin e Qeverisë në lidhje me reformat sociale dhe ekonomike, të cilat kishin hasur në kundërshtime politike por që, po vërtetohen si të bazuara dhe legjitime nga instanca më e lartë juridike në vend.