Gjykata e Korçës vendos masën e sigurisë për Violand Braçellarin

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Violand Braçellarin, i akuzuar për vrasjen e efektivit Enea Mekolli. Gjatë operacionit për kapjen e Braçellarit, nga breshëria e armëve mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri.
Masa e sigurisë është mbajtur brenda ambienteve të Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi autori i dyshuar i vrasjes ndodhet nën mjekim për shkak të plagëve të marra nga tre plumba.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Gentjan Sallahu, i Gjykatës së Korçës, i cili e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Braçellarit dhe ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”.
Në vendim thuhet se:
“Vleftësohet i ligjshëm arresti në flagrancë i personit nën hetim V.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit e mbetur në tentativë”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 79/b, 79/b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
Caktohet ndaj personit nën hetim V.B. masa e sigurimit personal “arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Për ekzekutimin e vendimit ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar”
*Vendimi shpallet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, më 07.06.2026.




































