Gjini: Komunat e Kosovës nesër në protestë, “Kur dobësohet pushteti lokal, dëmtohen shërbimet për qytetarët”

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se komunat e Kosovës do të protestojnë nesër, më 1 shtator, në Prishtinë, për të kërkuar respektimin e kompetencave dhe të drejtave të tyre ligjore.
Gjini ka thënë se, sipas tij, niveli qendror po i pengon komunat në ushtrimin e kompetencave të tyre, duke e cilësuar këtë qasje si të jashtëligjshme dhe të motivuar politikisht.
Rama fton qytetarët në protestë më 1 shtator: Qeveria Kurti u ka marrë komunave mbi 344 milionë euro

Ai ka renditur disa prej shqetësimeve që, sipas tij, po përballojnë komunat, përfshirë shkurtimin e buxheteve, lënien jashtë planifikimeve financiare të mbi 3,100 mësimdhënësve, moskompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, centralizimin e inspektorateve dhe kufizimet ndaj pronave komunale.
“Kur komuna humb fuqinë, humbasin edhe shërbimet që ju i merrni çdo ditë. Kur i hiqen kompetencat, dobësohet demokracia lokale”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës, duke theksuar se kjo çështje, sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me kryetarët apo administratat komunale, por prek drejtpërdrejt qytetarët dhe shërbimet publike.
Protesta do të mbahet nesër, më 1 shtator, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Telegrafi/







































