Pasi Zyra e Auditorit të Përgjithshëm këto ditë publikoi Raportet e Auditimit për Kryeministrinë, Kuvendin, Presidencën, Ministritë dhe Agjencionet e Pavarura për vitin 2008, pasoi një kundërgoditje nga ana e të njëjtave. Shumica e këtyre institucioneve dolën nëpër konferenca shtypi duke “lavdëruar” punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Auditorit, e duke mos komentuar asgjë në lidhje me grumbullin e keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit të cilat auditori në Raportet e tij Financiare i ka cekur.

Me një strategji të paradoksit (se ndryshe kjo nuk mund të quhet), këto institucione i hodhën hi syve të publikut duke i fshehur kritikat dhe shtrembëruar faktet, duke lavdëruar punën e tyre, e në fakt raportet përmbanin shumë shkelje. Qeveria zotohej se nuk do të bëjë keqpërdorimin e as edhe një centi të qytetarëve, kurse në anën tjetër dëmi që i është bërë buxhetit nga keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi tejkalon shumën e disa qindra mijë eurove.

Nëse kompilohen raportet e publikuara deri më tani (publikimi i të gjitha raporteve ende nuk ka përfunduar) dhe përpilohet një dokument i vetëm, ai do të përmbante 136 rekomandime të paimplementuara që nga viti 2007, duke ua shtuar edhe 235 rekomandime të reja për vitin 2008. Kur të analizohet Buxheti i aprovuar dhe realizimi i tij, vërehet një suficit prej rreth 190 milionë euro, prinë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vetëm 38% shpenzim të buxhetit.

Pjesa më brengosëse e këtij fakti qëndron në atë se rreth 160 milionë euro të suficitit total janë nga kategoria shpenzime kapitale, ndërsa kategoria e pagave dhe mëditjeve është realizuar në një përqindje shumë të madhe dhe mjetet e tepruara në këtë kategori janë shumë të vogla. Me fjalë tjera nënkupton që zyrtarët në institucione i kanë marrë rrogat me kohë dhe nuk kanë qenë të aftë t’i arrijnë objektivat e parapara, gjegjësisht t’i investojnë mjetet në projekte që do të gjeneronin të hyra, këto shifra pritet të jenë edhe më të mëdha kur të publikohen të gjitha raportet në tërësi.

Qeveria këto keqpërdorime i quan “shkelje të vogla” kurse në anën tjetër nuk ekziston as një institucion i vetëm të cilit i është bërë auditimi dhe nuk janë gjetur shkelje të procedurave të prokurimit, duke filluar nga përzgjedhja e operatorit ekonomik në mungesë të tre (3) operatorëve të përgjegjshëm (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural etj); përzgjedhja e operatorëve më të shtrenjtë edhe pse në hapjen e tenderit kishte edhe operatorë më të lirë (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë); prokurimi jashtë planit të paraparë (furnizimi me mjete të panevojshme Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kuvendi i Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Financave); pranimi teknik nuk bëhet fare ose bëhet nga persona të pa-autorizuar (Ministria e Shëndetësisë).

Ministria e Punëve të Brendshme njëherë lidh kontratat e punës që më vonë të bëjë shpalljen e konkursit për rekrutim. Nga Zyra e Kryeministrit ndahen mjete për udhëtime jashtë vendit edhe pse ka mungesë të faturave të hotelit, aeroplanit si dhe mungon përshkrimi i qëllimit të udhëtimit.

Gjithashtu, gjatë auditimit financiar të shpenzimeve auditori ka hasur në shumë shkelje duke filluar nga tejkalimi i shpenzimeve të telefonit, blerja e telefonave mobil dhe llap-topëve që nuk dihet se ku kanë përfunduar, Kabineti i Ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kishte dhënë vetes të drejtë që të blejë telefona “Iphone” me vlerë 550 deri 750 euro, shpenzime të tepruara për material furnizues për zyra (në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë) si dhe përmirësimi i vlerave të faturave (Ministria për Komunitete dhe Kthim). Automjetet përbëjnë një kapitull në vehte të shkeljeve, ato voziten pa evidencë të shfrytëzimit, pa evidencë të kilometrave e servisimit, si dhe pa evidencë të furnizimit me derivate.

Si shembull ilustrues, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale vetëm për shtatë (7) vetura te të cilat nuk është bërë evidencimi i mirë del që mesatarja e shpenzimit të karburanteve është 44.5 l në 100 km, kurse për të gjitha veturat tjera në këtë ministri shpenzimet mesatare janë 15 litra/100km. Me qëllim servisimi është bërë blerja e pjesëve të veturave, të cilat pjesë nuk kanë qenë të tipit të veturës ku ishin paraparë të destinohen (Ministria e Ekonomisë dhe Financave).

Gjatë shpenzimeve për investime kapitale në shumicën e ministrive është gjetur se punimet në projekte të ndryshme nuk kryhen sipas planit dinamik si dhe ato nuk janë në pajtim me specifikacionin teknik, lidhen kontrata me operator ekonomik para se të bëhet zotimi i mjeteve si dhe ipen avanse mbi 30% para se të fillojnë punimet.

Rekomandimet që janë dhënë në lidhje me Kontrollin e Brendshëm sugjerojnë shtimin e masave të kontrolli, i cili duket se nuk e luan rolin e tij të vërtetë nëpër Institucionet e Kosovës.

Raporti financiar në fillim të muajit shtator do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim, aty opozita do ta sulmojë Qeverinë, kurse pozita përsëri do ta mbrojë. Nga ana tjetër mediat po vazhdojnë të fokusohen në këtë Raport të Auditimit Financiar, shoqëria civile ende po hesht, kurse prokuroritë nuk po i fillojnë procedurat në gjykata. Rekomandimet ende të paimplementuara të vitit 2007 tregojnë shpërfilljen e institucioneve ndaj raporteve të mëparshme dhe ky trend vazhdon tani e disa vite, e gjithë kjo në kurriz të qytetarëve çdo cent i të cilëve është shumë i vlefshëm.

(Autori është monitorues në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI. Mendimet janë të autorit dhe jo-domosdoshmërisht shprehin ato të organizatës ku ai punon)