LAJMI I FUNDIT:

Gjermania redukton praninë diplomatike në Korenë e Veriut

Gjermania redukton praninë diplomatike në Korenë e Veriut

Gjermania ka reduktuar praninë e saj diplomatike në Korenë e Veriut dhe do të vazhdojë ta bëjë për të rritur presionin kundër programit bërthamor koreano-verior, njoftoi sot në Uashington ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel.

“Ne kemi ulur tashmë numrin e punonjësve në ambasadën tonë në Korenë e Veriut dhe do ta reduktojmë sërish”, deklaroi Sigmar Gabriel në përfundim të një takimi me homologun amerikan, Rex Tillerson.


“Berlini ka tërhequr dy diplomatë dhe po përgatitet për të tërhequr një të tretë dhe mund të koordinohet lidhur me këtë çështje dhe me vendet e tjera evropiane”, theksoi ai.

Kreu i diplomacisë gjermane shtoi se Pheniani kishte kërkuar gjithashtu reduktimin e personelit diplomatik koreano-verior në Berlin, pa dhënë shumë detaje.

SHBA-ja po bën presion në të gjitha vendet që ata të ndërpresin lidhjet e tyre me regjimin e Kim Jong-Un.

“Rex Tillerson nuk u ka kërkuar gjermanëve të tërheqin ambasadorin e tyre në Phenian”, theksoi Sigmar Gabriel.

“Ne po rrisim presionin diplomatik, por para së gjithash duhet të vihen në zbatim në mënyrë strikte sanksionet e miratuara tashmë”, theksoi ai.