Gjermani, “Hürriyet” nderohet me Çmimin e Lirisë së Shtypit

Kryeredaktori i gazetës liberale turke “Hürriyet”, Sedat Ergin u nderua sot me Çmimin e akorduar nga radio gjermane “Deutsche Welle”, në një kontekst të sulmeve në rritje të pushtetit turk kundër gazetarëve dhe tensioneve gjermano-turke.
I akuzuar për fyerje kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, gazetarit Ergin iu dha Çmimi i Lirisë së Shtypit gjatë një Forumi Ndërkombëtar të Mediave organizuar në Bon nga “Deutsche Welle” me pjesëmarrjen e 2.000 të ftuarve nga qindra shtete.
“ ‘Hürriyet’ është një prej mediave më të mëdha të pavarura, një pishtar i lirisë, një prej bastioneve të fundit të lirisë së shprehjes në Turqi”, deklaroi Kai Diekmann, i cili drejton të përditshmen më popullore gjermane “Bild”.
Sulmet e Ankarasë kundër gazetarëve kanë dalë më në pah prej një viti, me një luftë të kryesuar nga Erdogan kundër rebelëve kurdë turq.
















































