Feldmareshali Bernard “Monty” Montgomery vdiq 50 vjet më parë. Në vitin 1968, ai i tregoi BBC-së për Betejën e El Alameinit dhe për kundërshtarin e tij gjerman, Erwin Rommel - “Dhelprën e shkretëtirës”.

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


“Në humbje, i pathyeshëm; në fitore, i padurueshëm”. Me një fjali të vetme, Winston Churchilli përmblodhi madhështinë e ashpër të feldmareshalit Bernard Montgomery - truri pas fitores së famshme të nëntorit 1942, në Betejën e Dytë të El Alameinit. E konsideruar si pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, beteja në Afrikën e Veriut frymëzoi edhe një thënie tjetër të famshme të Churchillit: “Tashti, ky nuk është fundi. Nuk është as fillimi i fundit. Por, ndoshta është fundi i fillimit”.

Në kohën e vdekjes së gjeneralit më 24 mars 1976, në moshën 88-vjeçare, Lord Montgomery i Alameinit veçse kishte kaluar një pension të gjatë dhe herë pas here polemik. Një karakter i ashpër, që nuk kishte frikë të shkaktonte polemika, në kujtimet e tij ai e kishte hedhur poshtë gjeneralin Dwight D. Eisenhower, ish-komandantin e tij suprem dhe presidentin e ardhshëm të ShBA-së, me një shprehje tipike arrogante: “Njeri i mirë. Jo ushtar”. Në një moment vetëdijesimi, ai kishte bërë shaka: “Puna ime, siç e dini, është lufta - të luftoj gjermanët ose këdo tjetër që dëshiron të luftojë”.

Kur Montgomery mbërriti në Egjipt në korrik 1942, si komandanti i sapoemëruar i Ushtrisë së Tetë britanike, Aleatët ishin në vështirësi në disa fronte. Në Paqësor, japonezët kishin dobësuar fuqinë britanike dhe amerikane dhe kishin marrë Hong-Kongun dhe Singaporin. Në Atlantik, nëndetëset gjermane kërcënonin Britaninë me uri - deri në dorëzim. Në Egjipt, ushtria gjermane dukej se ishte pranë pushtimit të kryeqytetit Kajro, ashtu siç kishte pushtuar pjesën më të madhe të Evropës. Pasi kishin ardhur në Afrikën e Veriut një vit më parë, për të mbrojtur aleatët e tyre italianë në Libi, ata tashmë synonin një çmim më të madh.

Ata e dërguan feldmareshalin Erwin Rommel, njërin prej gjeneralëve të tyre më të mirë, për të thyer ushtrinë britanike dhe për të marrë Egjiptin dhe Lindjen e Mesme, së bashku me burimet e naftës që furnizonin angazhimet luftarake britanike. Rommeli ishte aq efektiv si komandant i Afrika Korps-it - forcës elitare sulmues gjermane - saqë mori nofkën “Dhelpra e Shkretëtirës”.


Në vitin 1968, Montgomery u intervistua nga gazetari Cliff Michelmore i BBC-së në të njëjtin karavan që kishte përdorur në shkretëtirën egjiptiane, kur planifikonte si ta mposhtte rivalin e tij kryesor. Për ta ndihmuar për të përfytyruar se çfarë duhej të bënte, Montgomery kishte vendosur një fotografi të Rommelit në murin e selisë së tij të lëvizshme. “E shikoja dhe i thosha vetes: çfarë lloj njeriu është ky? Nëse bëj këtë, çfarë ka gjasa të bëjë ai? Dhe, në një mënyrë të habitshme, kjo më ka ndihmuar. Mendoj se shumë njerëz mendonin se isha i çmendur. Por, e dini, jam konsideruar kaq shpesh i çmendur saqë tani e marr si një kompliment”.

Para mbërritjes së Montgomeryt në Afrikën e Veriut, Rommeli kishte një reputacion të frikshëm mes britanikëve të cilët për të kishin krijuar imazhin e një gjeniu ushtarak. Churchilli madje shkoi aq larg sa ta përmendte në Parlament: “Kemi kundër nesh një kundërshtar shumë të guximshëm dhe të aftë dhe, mund të them, përtej rrëmujës së luftës, një gjeneral të madh”. Sipas historianit Dr. Niall Barr, ky imazh “ndihmoi në zbutjen e dështimeve të shumta të ushtrisë britanike në shkretëtirë. Në fund të fundit, ishte më e lehtë të shpjegoheshin humbjet e shumta duke theksuar pikat e forta të armikut, sesa të përballeshin me mangësitë britanike”.

Montgomery, kur u pyet nga Michelmorei për Rommelin, tha se ai ishte “krejt ndryshe nga ajo që mendonin shumë njerëz”. Ai e quajti atë një “figurë të tipit Princ Rupert”, një komandant i guximshëm në vijën e parë që parapëlqente të ishte me trupat e tij, në vend që të drejtonte operacionet nga selia. Ndërsa ushtarët e Rommelit “e donin dhe do ta ndiqnin kudo”, Montgomery tha se kjo qasje nuk ishte e përshtatshme për komandën e lartë. “Nuk mendoj se Rommeli e kuptonte administrimin që është jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftë. E kuptova se ajo që doja të arrija në vijën e frontit duhej të ishte në përpjesëtim me administrimin prapa. Përndryshe, nuk mund ta bëje”.

Winston Churchill (majtas) tha se Bernard Montgomery (djathtas) mund të ishte “i padurueshëm”(Getty Images)

Kur Montgomery mbërriti për herë të parë në shkretëtirë, ai ishte një figurë e panjohur, me “gjunjë të bardhë” - një term përçmues që përdorej nga veteranët cinikë për të sapoardhurit e zbehtë të dërguar nga Britania. Ai pati menjëherë ndikim me vetëbesimin e tij të guximshëm, duke u thënë trupave: “Mandati ynë nga kryeministri është të shkatërrojmë forcat e Boshtit në Afrikën e Veriut. Kjo mund të bëhet dhe do të bëhet, pa asnjë dyshim”. Në përpjekje për të rikthyer moralin, Montgomery u përpoq të vizitonte sa më shumë njësi të ushtrisë për të shpjeguar vizionin e tij për atë që do të ndodhte më pas. Mesazhi i tij kryesor ishte se nuk do të kishte më tërheqje. “Ne do të qëndrojmë dhe do të luftojmë këtu. Nëse nuk mund të qëndrojmë këtu gjallë, atëherë le të qëndrojmë këtu të vdekur. Dua t’ua bëj të qartë të gjithëve se kohët e këqija kanë marrë fund. Ato kanë mbaruar”.

Tri fazat e betejës

Më vonë ai ia kujtoi BBC-së: “Ua tregova idetë dhe mendimet e mia për të ardhmen. Mendoj se disa prej tyre mund të kenë menduar se po e mbivlerësoja veten. Kisha qenë në shkretëtirë për më pak se 12 orë dhe ja ku isha, duke u thënë çfarë të bënin dhe duke dhënë urdhra me vetëbesimin më të madh, sikur të kisha qenë aty gjatë gjithë jetës. Sidoqoftë, një gjë u bë shumë e qartë: nuk do të kishte më pasiguri për asgjë”.

Fshati El Alamein ndodhet midis bregdetit të Mesdheut në njërën anë dhe kënetave të pakalueshme me kripë në Jug. Që nga Beteja e Parë e El Alameinit në korrik, Ushtria e Tetë ishte pozicionuar aty, duke ndalur përparimin e Rommelit drejt Kajros. Për disa muaj, Montgomery vazhdoi të stërviste dhe të pajiste sërish ushtarët e tij, ndërsa punonte mbi planin e tij të madh. Ai u tha trupave: “Parashikimi im për këtë betejë është se do të ketë tri faza të qarta. Së pari, depërtimi fillestar. Pastaj, përleshja. Besoj se kjo përleshje do të shndërrohet në një betejë të ashpër dhe do të zgjasë 10 ose 12 ditë”. Ai donte t’i siguronte ushtarët se gjithçka do të planifikohej deri në detajin e fundit. “Armiku do të thyhet. Pastaj do të vijë shpërthimi përfundimtar dhe kjo do të çojë në fundin e Rommelit në Afrikë”.

Deri më 23 tetor, ai ishte gati të sulmonte. Sulmi nisi me bombardimin më të madh britanik që nga Lufta e Parë Botërore. I tronditur nga kasaphana e asaj lufte, në të cilën edhe vetë ishte plagosur rëndë, ai ishte i përcaktuar të shmangte humbjet e panevojshme të jetës. Sipas historianit Richard Holmes, bombardimi pasqyronte “dëshirën e Montgomeryt që, sa herë të ishte e mundur, metali ta kryente punën dhe jo mishi”.

Inxhinierët hapën korridore përmes fushave të dendura të minuara gjermane, duke mundësuar lëvizjen e tankeve aleate. Ndërsa pesha e tankeve do t’i shpërthente minat e vendosura nga gjermanët, ushtarët mund të kalonin në këmbë nëpër atë territor. Montgomery ia dha kësaj pjese të planit të tij emrin e qëlluar Operacioni Këmba e Shpejtë [Lightfoot]. Humbjet u rritën shpejt në të dyja anët, por gjermanët dhe italianët ishin më të pakët në numër, në raportin dy me një. Tanket e Rommelit, larg depove të furnizimit, po mbeteshin pa karburant.

Natën mes 1 dhe 2 nëntorit, nisi faza e dytë e ofensivës Operacioni Fuqizimi [Supercharge]: divizionet e blinduara britanike depërtuan përmes shtresës së fundit të mbrojtjes së Boshtit. Përparimi ishte ende larg të qenit i lehtë. Më 3 nëntor, Brigada e Nëntë e Blinduar humbi 102 nga 128 tanket e saj. Pas betejës, Montgomery e udhëhoqi Ushtrinë e Tetë fitimtare përtej dy mijë miljeve në Afrikën e Veriut. Rommeli e kishte nisur me 500 tanke: deri në fund të fazës së parë i kishin mbetur vetëm 100, dhe pas një beteje të madhe tankesh në ditën e fundit, i mbetën vetëm 30 tanke funksionale. Elementet e forcave të lëvizshme të Rommelit arritën të tërhiqeshin, sepse Montgomery, besnik ndaj stilit të tij, refuzoi të rrezikonte gjatë ndjekjes. Megjithatë, shumica e këmbësorisë së tyre u kap rob. Deri në maj 1943, forcat e mbetura të Boshtit në Afrikën e Veriut u dorëzuan.


Rommeli nuk jetoi për të parë fundin e luftës, dhe ai nuk u vra në betejë. Kur u përfshi në komplotin e vitit 1944 për të vrarë Hitlerin, nazistët ia ofruan mundësinë t’ia merrte jetën vetes për të shmangur spektaklin e gjykimit publik të gjeneralit të tyre të famshëm. Historianët mbeten të ndarë në mendime për Rommelin. Ndërsa disa e shohin si komandant ambicioz, por në thelb apolitik që zhvilloi një luftë “të pastër”, të tjerët pohojnë se karriera dhe prestigji i tij ishin të lidhur ngushtë me regjimin brutal dhe vrasës nazist.

Fitorja në El Alamein ishte një shtysë e madhe morale për përpjekjen luftarake britanike. Nuk ishte më një gjeneral i panjohur: Montgomery tani ishte “Monty”, një hero për trupat e tij dhe për njerëzit në atdhe. Ai u kthye për të udhëhequr zbarkimet e Ditës-D [D-Day] me katër ushtri aleate nën komandën e tij dhe fitoi Betejën e Normandisë.

Dokumentari i BBC-së i vitit 1987, Monti: Në dashuri dhe në luftë [Monty: In Love and War], mblodhi dëshmi nga shumë prej atyre që kishin shërbyer me të. Rrëfimet e tyre ndryshonin shumë, duke zbuluar kompleksitetin e karakterit të tij. Gjenerali i Ushtrisë së ShBA-së, Bill Carter, ka thënë: “Ne nuk kishim fare respekt për Montgomeryn. Ai ishte njeri i pozave, ishte i pasjellshëm, nuk i respektonte aleatët dhe ishte tamam politikan”.

Nënkoloneli Trumbull Warren, adjutanti kanadez dhe ndihmësi personal i Montgomeryt, ka thënë: “Mendoj se njerëzit që e njihnin mirë - dhe i shërbenin nga afër - e adhuronin. Ndërsa ata që nuk e njihnin, mund të them se shumë prej tyre e urrenin. Ai ishte njeriu i duhur në kohën e duhur dhe pati fatin e duhur. Ne kishim nevojë për një njeri si Montgomery”. Sipas oficerit britanik të inteligjencës, brigadierit Sir Edgar Williams, “ai nuk ishte njeri i mirë, por njerëzit e mirë nuk i fitojnë luftërat”. /Telegrafi/