LAJMI I FUNDIT:

Gjenerali amerikan, Wesley Clark sot viziton Kosovën

Gjenerali amerikan, Wesley Clark sot viziton Kosovën

Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, sot në Kosovë do të arrijë për një vizitë gjenerali amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, Wesley Clark.

Gjeneral Clark do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes në nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror.

Pas takimit, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe gjeneral Clark do të mbajnë konferencë për medie.

Gjatë ditës gjenerali Clark do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila ka nisur më 24 mars, 1999, dhe ka përfunduar më 10 qershor, 1999.

Ndërhyrjes i kanë paraprirë luftimet midis forcave të atëhershme ushtarake dhe policore serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe vrasjet, dëbimet dhe persekutimet masive të shqiptarëve të Kosovës, në periudhën 1998-1999.

Vendimi për ndërhyrjen e NATO-s, pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara, është marrë pas negociatave të pasuksesshme midis delegacioneve të Kosovës dhe RFJ-së në Rambuje dhe Paris, në shkurt dhe mars, 1999.

Sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi kanë zgjatur 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u ka dhënë fund luftimeve dhe ka çuar në largimin e forcave serbe nga Kosova./Telegrafi.