Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë lajmin për një zbulim të rrallë arkeologjik në fshatin Strikçan të Bulqizës, ku është evidentuar varri i parë monumental i periudhës romake në vendin tonë.

“Një gërmim i rrallë arkeologjik është zbuluar në Bulqizë në fshatin Strikçan,” ka shkruar Rama, duke e cilësuar këtë si një prej zbulimeve më domethënëse të viteve të fundit në arkeologji.


Sipas tij, ky është “varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri, në tipologjinë e një mausoleumi me elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë”.

Monumenti, me përmasa rreth 9 metra me 6 metra dhe një dhomë funerare 2.40 metra të lartë, përmban një mbishkrim bilingual në latinisht dhe greqisht, i pari i këtij lloji i zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës.

Rama shtoi se mbishkrimi është “kushtuar individit të varrosur  Gelliano-s  dhe perëndisë Jupiter”, çka e bën këtë objekt unik në kontekstin historik e kulturor të rajonit. /Telegrafi/