Gazetarja ukrainase mahnit grupin Shkodra Elektronike në prapaskenë - interpreton hitin "Zjerm" në gjuhën e saj

Një moment i papritur, por thellësisht emocionues ndodhi në prapaskenat e Eurovisionit, ku dyshja shqiptare Shkodra Elektronike përjetoi një surprizë të paharrueshme gjatë një interviste me një gazetare nga Ukraina.
Teksa po zhvillohej një bisedë e zakonshme për projektet e tyre muzikore dhe përjetimet në Eurovision, intervista mori një kthesë të papritur kur gazetarja u kthye nga artistët dhe tha:
“Dua të këndoj këngën tuaj ‘Zjerm’ në gjuhën time, në ukrainisht”.
Të habitur fillimisht nga dëshira e saj, anëtarët e Shkodra Elektronike reaguan me buzëqeshje dhe kureshtje, por nuk kishin imagjinuar çfarë do të vinte më pas.
Ajo nisi të këndonte me pasion dhe saktësi vargjet e “Zjerm” të përkthyera mjeshtërisht në gjuhën ukrainase, duke ruajtur fuqinë emocionale dhe intensitetin që kënga bart në origjinalin shqip.
@suspilne.eurovision Як вам українська версія «Zjerm»?🙌🏻 @Ann Tulieva #eurovision2025
Interpretimi i saj i papritur, por i ndjerë dhe preciz, i la artistët shqiptarë pa fjalë.
“Zjerm” ndezi një tjetër flakë – këtë herë në zemrat e një audience të re, falë një gazetareje që nuk intervistoi vetëm, por përqafoi muzikën si gjuhën më universale që kemi. /Telegrafi/































































