Gazetarë shqiptarë dhe serbë i dolën në mbrojtje Mlladen Peroviqit nga Zveçani, i cili gjatë trazirave në këtë qytet ua hapi derën e kafenesë së tij, por që më vonë u etiketua si “tradhtar”.
“Unë nuk e di se çfarë kam bërë për të qenë tradhtar dhe për t’u vënë në shënjestër”, tha të mërkurën Peroviq për mediat në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Zveçani, prej ditësh, është në qendër të tensioneve, të cilat kulmuan më 29 maj, kur grupe protestuesish serbë u përplasën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Atë ditë, Peroviq, me kombësi serbe, hapi derën e kafenesë së tij për gazetarët shqiptarë dhe serbë.
Për këtë veprim, Peroviq u quajt tradhtar në kanalin “Sllovenski medved” në Telegram, më 30 maj.
Në atë postim kishte edhe një term nënçmues për shqiptarët në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmojë se kush qëndron prapa këtij kanali.
“Sllovenski medved” është një prej shumë kanaleve në Telegram që publikon përmbajtje në gjuhën serbe dhe është pro-rus. Postimet aty tregojnë mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës dhe kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kërcënimet drejtuar Peroviqit u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë.
Grupe serbësh lokalë u përleshën më 29 maj me ushtarët e KFOR-it në Zveçan, gjatë një proteste kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Dhjetëra njerëz, përfshirë 30 ushtarë të KFOR-it, u plagosën.
Peroviq: Nuk kam bërë asgjë të padrejtë
Duke folur për gazetarët në Zveçan, Peroviq tha se një numër i madh i mysafirëve kanë kaluar nëpër kafenenë e tij më 29 maj, përfshirë edhe një numër të madh gazetarësh, si shqiptarë, ashtu edhe serbë.
“Pesëqind njerëz duhet të kenë kaluar nëpër kafene atë ditë. Të gjithë kanë ardhur për t’u freskuar, për të pirë ujë. As nuk i kam zgjedhur mysafirët, as nuk kam bërë ndonjë gjë që do të ishte e padrejtë”, tha Peroviq.
Në kohën e përshkallëzimit të situatës, sipas tij, disa persona janë larguar me vrap nga kafeneja. Ai tha se edhe vetë është mënjanuar, nga frika për sigurinë e tij.
“Kur situata është stabilizuar, jam kthyer në kafene, i shqetësuar për pronën time private, ku kishte gazetarë, edhe tanët [serbë], edhe shqiptarë”, tha Peroviq.
Kur ka dashur ta mbyllë kafenenë, Peroviq tha se i ka pyetur demonstruesit se çfarë të bëjë dhe ata i janë përgjigjur se mund të kalojë lirshëm dhe se “ata [gazetarët shqiptarë] nuk do t’i prekë askush”. Më pas, ai i ka çuar ata drejt automjeteve të tyre.
Dëshmitë e gazetarëve që ishin në kafene
Shkodrane Dakaj, gazetare e mediumit Kallxo në Prishtinë, tregon për Radion Evropa e Lirë se ajo dhe kolegë të saj janë pritur shumë mirë nga pronari i lokalit, i cili i ka lejuar të qëndrojnë aty me orë të tëra, pa asnjë problem.
“Në momentin kur ka filluar të bjerë nata dhe KFOR-i nuk na ka lejuar të hyjmë në ndërtesën e komunës, kemi vendosur të largohemi dhe pronari i lokalit na ka thënë se mund të na ndihmojë deri te stacioni policor në Zveçan ose deri te makinat tona. Dhe, të shoqëruar nga ai, jemi larguar”, thotë Dakaj.
Sipas saj, gjatë qëndrimit në lokal, kur kanë tentuar të largohen, janë sulmuar nga protestuesit, të cilët kanë thyer edhe xhamin e lokalit.
“Ajo që po i ndodh atij [Peroviqit] tani është një thirrje për linçim dhe duhet të ndalet”, tha për mediat Zorica Vorguçiq, gazetare nga Graçanica për RTV KiM.
“Kur ka filluar çmenduria, kur kemi dëgjuar shok-bombat dhe gazin lotsjellës, jemi strehuar atje dhe kemi qenë bashkë me kolegët tanë që raportojnë për mediat shqiptare”, përshkroi Vorguçiq situatën e 29 majit.
“Kjo çmenduri duhet të ndalet dhe ne gazetarët, para së gjithash, duhet të solidarizohemi dhe shoqatat duhet të jenë më aktive në këtë rast”, tha Budimir Niçiq, gazetar nga Graçanica.
Sipas tij, Peroviq e ka hapur kafenenë për të gjithë njerëzit dhe “nuk ka bërë asnjë lloj tradhtie”.
Atë ditë, në kafene ishte edhe gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Sandra Cvetkoviq.
“Shpërthimet kanë qenë të fuqishme. Pranë nesh kanë nisur të fluturojnë gazra lotsjellës, shok-bomba, kokteje molotovi… Kemi nisur të vrapojmë dhe unë me një grup gazetarësh kemi kaluar rrugën përballë komunës dhe kemi hyrë në kafenenë, ku gjatë gjithë ditës kemi shkuar për t’u freskuar”, thotë Cvetkoviq.
Sipas saj, gazetarët që kanë raportuar atë ditë në Zveçan, kanë qenë në rrezik të madh. Ajo, po ashtu, kujton se në përleshjet e asaj dite është lënduar edhe një gazetar i agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug.
“E bëri që gazetarët të ishin të sigurt”
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ishte po ashtu në kafenenë e Peroviqit, më 29 maj.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në momentin kur ka ndodhur përplasja e madhe mes demonstruesve dhe KFOR-it, ka qenë rrezik që gazetarët të dalin jashtë dhe shumica e tyre kanë hyrë në kafenenë e Peroviqit dhe kanë qëndruar aty.
“Aty ka qenë pronari, i cili e ka mbajtur hapur kafenenë e tij, në mënyrë që gazetarët të vazhdonin të qëndronin të sigurt”, thotë Rexha.
Në kafene, sipas tij, kanë qenë më shumë se 30 gazetarë, “shumica prej të cilëve shqiptarë nga Kosova, ekipe nga Prishtina dhe shtatë gazetarë të nacionalitetit serb”.
Rexha thotë se ka pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm mes gazetarëve.
“Disa herë, një koleg gazetar serb i ka larguar disa prej gazetarëve për të shkuar te veturat e tyre. Por, shumica kanë dëshiruar të qëndrojnë aty dhe kemi qëndruar mbi tri orë”, kujton Rexha.
Sipas tij, policia dhe KFOR-i nuk kanë garantuar ndonjë korridor të sigurt për largimin e gazetarëve shqiptarë dhe “pronari i kafenesë është kujdesur që t’i shoqërojë gazetarët shqiptarë deri në afërsi të stacionit policor, për t’i marrë veturat e tyre dhe për të shkuar në jug të Mitrovicës”.
NUNS: “Një gjest normal njerëzor”
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS), Zhelko Bodrozhiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Peroviq ka bërë një gjest normal njerëzor.
“Komunikimi normal i gazetarëve serbë dhe shqiptarë dhe solidariteti dhe mbrojtja reciproke janë bërë cak i ekstremistëve, të cilët duan të nisin konflikte”, thotë Bodrozhiq.
Ai thotë se rasti i sulmit ndaj pronarit të kafenesë në Zveçan pasqyron atmosferën që, sipas tij, gjeneron nga autoritetet e të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, dhe liderët e tyre politikë.
Në komentet e tij, ai i referohet edhe rolit të pushtetit në Serbi.
“Në shërbim të asaj Qeverie janë disa qitës të pavarur, ekstremistë, shovinistë, të cilët janë të rrezikshëm për shoqërinë tonë, e mbi të gjitha për serbët në Kosovë, shumica e të cilëve janë për një bashkëjetesë paqësore, pa luftë dhe tensione”, thotë Bodrozhiq.
Sipas tij, gjesti i Peroviqit duhet të tregojë se si duhet të duket Kosova.
Thirrje nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës
Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi qysh nga viti 2011, bëri thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës.
Në zhvillim e sipër janë përpjekjet për të organizuar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Tensionet e fundit u dënuan si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe nga NATO-ja. Ndërkohë, Kosova dhe Serbia vazhdojnë ta fajësojnë njëra-tjetrën për krizën e re. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëOsmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
Ahmeti: Nënshkruam marrëveshje "xhentëllmenësh", por VLEN-i nuk e mbajtën fjalën
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj