LAJMI I FUNDIT:

Gara për kryetar të Prizrenit

Përkundër zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2007, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 në Kosovë veçohen për dy karakteristika, janë zgjedhjet lokale të para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, dhe hyrjes në fuqi të Ligjit për vetëqeverisjen lokale në Kosovë.

Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale në fuqi kryetari i komunës më nuk është kryetar i Kuvendit Komunal, por kryetar i komunës që zgjidhet direkt nga votuesi (populli), pasi që legjislativi tani është i ndarë nga ekzekutivi. Kryetari i komunës e ka rolin e kryeshefit të dikurshëm të komunës, apo të një “kryeministri” komunal pasi që drejtpërsëdrejti udhëheq me qeverinë komunale dhe se vet i cakton apo emëron drejtorët, atij i japin llogari dhe se ka të drejtën vetë ai edhe të i shkarkojë, e jo kuvendi komunal i cili tani nuk e ka atë drejtë as të zgjedh e as të shkarkojë.


Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, tani, pozita, roli dhe kompetencat e kryetarit të komunës janë shumë më të gjera dhe shumë më të avancuara në krahasim me pozitën e mëparshme të kryetarit të Kuvendit Komunal.

Ai ka të drejtë të propozojë rregullore të ndryshme, akte, të iniciojë procedura, të propozojë buxhetin, për miratim Kuvendit Komunal, dhe se është përgjegjës pas miratimit për zbatimin e tij, menaxhon me administratën e përgjithshme komunale, është përgjegjës për mbarëvajtjen e gjithëmbarshme financiare të komunës, tani së fundi, përveç tjerash ka të drejtë edhe në përzgjedhjen e drejtorëve në shkollat fillore dhe të mesme të komunës.

Ai ka të drejtë të emërojë, të revokojë, të shkarkojë, edhe personelin e administratës komunale, tani edhe qendra për punë sociale e cila ka qenë në kompetencat e Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale, është vu në kompetencat e kryetarit të komunës, kush e fiton në zgjedhje lokale kryetarin, e ka edhe pushtetin de jure dhe de fakto në komunë.

Për zgjedhjet lokale apo në garë për kryetarin e Prizrenit janë certifikuar gjithsejtë 14 kandidatët potencialë, të cilët do të garojnë për postin e kryetarit të Prizrenit në votimet të cilët do të mbahen me 15 nëntor 2009.

Ramadan Muja, kryetar aktual i Prizrenit, i kandiduar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së), garon edhe për mandatin e dytë qeverisës katërvjeçar në Prizren. Sikurse në vitin 2007, edhe tani në vitin 2009, është emëruar direkt nga lidershipi aktual i PDK-së, z.Hashim Thaçi, si kompromis, pas përplasjeve të brendshme partiake në degën e PDK-së në Prizren, për caktimin e kandidatit për kryetar të Prizrenit. Me profesion është ligjërues i historisë, doktor i historisë, i cili plot 40 vjet ka dhënë mësim në shkollat e Prizrenit dhe në Gjakovë.
Se sa ka qenë e qëlluar dhe me vend nominimi i tij edhe për mandatin e dytë qeverisës për kryetar të Prizrenit, do të shihet nga rezultatet e votimeve me 15 nëntor 2009.

Hanefi Muharemi është kandiduar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) për kryetar të Prizrenit, edhe pse ka pas propozime dhe kundërshtime brenda kryesisë së degës së LDK-së në Prizren për nominimin e Hanefiut për kryetar, mbisundoi preferenca e lidershipit aktual të degës së Prizrenit z.Eqrem Kryeziut. Me profesion është inxhinier i komunikacionit, ka përvojë menaxhuese, pasi që plot 7 vjet ka qenë në pozitën e drejtorit të shërbimeve publike, të qeverisë së mëparshme, së fundi, pas fillimit të fushatës zgjedhore, dha dorëheqje apo u largua nga pozita e drejtorit të Hidroregjionit Jugor. Se sa ka qenë e qëlluar dhe me vend nominimi i tij për pozitën e kryetarit të Prizrenit, do të shihet nga rezultati i votimeve që do të dalin pas 15 nëntorit 2009.

Bislim Zyrapi është kandiduar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-së), për kryetar të Prizrenit. Për dallim nga kandidatët tjerë në garë, Bislim Zyrapi është kandidat i parë i nominuar zyrtar në Prizren për kryetar të Prizrenit. Me profesion është ushtarak profesional (epror), për një kohë, gjatë luftës, ka qenë edhe komandant i shtabit të UÇK-së. Ka pas përvojë udhëheqëse gjatë karrierës së tij ushtarake dhe luftarake, dhe se tani do të provojë që këtë përvojë udhëheqëse ta zbatojë edhe në karrierën civile për pozitën e kryetarit të komunës së Prizrenit. Është nominuar direkt nga lidershipi aktual i AAK-së, z.Ramush Haradinaj, pasi që gjer tani nuk ka qenë i kyçur në radhët apo strukturat partiake të AAK-së.

Ryzhdi Rexha është kandidat i përbashkët dhe i nominuar nga Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-së) dhe Aleancës Kosova e Re(AKR-së), i përkrahur edhe nga subjektet politike më të vogla, si Balli Kombëtar (BK-së), Partisë Boshnjake Demokratike për Veprim (BSDAK-së), Unionit Boshnjak të Kosovës (BUK-së), si dhe Partisë Demokratike të Ashkalive të Kosovës (PDAK-së). Edhe Ryzhdi Rexha si kolegu i tij Bislim Zyrapi me profesion është ushtarak profesional (epror). Është vëllai i Ekrem Rexhës-komandant Drinit të ndjerë. Ka një perfomancë të veçantë, është dinamik, energjik, ka potencial dhe vullnet, guxim për t’u ballafaquar dhe menaxhuar me problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e Prizrenit, bën një lloj imitimi të fushatës zgjedhore të presidentit amerikan Obama, dhe se një poster i tij i përngjan prototipit të Obamasë.

Shend Kabashi është kandiduar nga radhët e Partisë së Drejtësisë (PD-së) në Prizren, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është arkitekt, ka kryer fakultetin e arkitekturës në Universitetin Teknik të Stambollit në Turqi. Është njohës i mirë i urbanizmit dhe planeve rregullative, pasi që ka punuar edhe në projektin e planit zhvillimor të qytetit të Prizrenit, si dhe planeve rregullative të caktuara të Prizrenit. Është i ri, por me plot vullnet e dëshirë për të dëshmuar veten në garë për kryetar të Prizrenit, në prezantimet e tija zë vend të caktuar problematika e urbanizmit të qytetit, pasi është njohës i mirë i tij, dhe se është e mirëseardhur për të, pasi që është një lëmi shumë e ndjeshme dhe e prekshme, duke marr parasysh edhe trashëgiminë e pasur kulturore historike të Prizrenit.

Petrit Randobrava është kandiduar nga radhët e Parisë Reformiste ORA, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është arkitekt, ka kryer fakultetin e ndërtimtarisë dhe arkitekturës në Prishtinë. Ka përvojë të duhur në projektimin dhe ndërtimin e objekteve banesore, industriale dhe shkollore. Është kontraktues i kompanive ”Bechtel-Enka” në projektin e autostradës Durrës-Morinë. Ka përvojë, në moshën në të cilin mund të dëshmohet si një kandidat serioz për postin e kryetarit të Prizrenit.

Skender Berisha është kandiduar nga radhët e Partisë Socialiste të Kosovës (PSK-së), për kryetar të Prizrenit. Me profesion është albanolog, profesor shumëvjeçar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e Prizrenit. Ka një njohuri të shkëlqyer të problematikave dhe rrethanave aktuale me të cilët ballafaqohet qytetari i Prizrenit. Është për t’u përgëzuar edhe profilizimi i PSK-së si e majta kosovare, e cila është profilizuar konform programit të vet, dhe krahas Partisë Socialdemokratike të Kosovës, janë të vetmet parti që përbëjnë spektrin e majtë kosovar. Ka një përvojë të gjatë të veprimtarisë aktive në lëvizje të ndryshme kombëtare shqiptare. Tani, këtë përvojë të duhur nga e kaluara e tij, do që të zbatojë në praktikë edhe në postin e kryetarit të Prizrenit për të cilin garon.

Qerim Shehu është kandiduar nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është mjek, ka kryer fakultetin e mjekësisë. Është relativisht i ri, ka një perfomancë të duhur, në prezantimet e ti’a ka një përgatitje të mirëfilltë, njohje të gjerë, si dhe angazhimi i tij është konform programit të PSDK-së, në rrafshin e spektrit të majtë, krahas PSK-së, në skenën e politikës aktuale kosovare.

Jëlldëze Gorani është kandiduar nga radhët e Alternativës Demokratike të Kosovës, për kryetare të Prizrenit. Me profesion është mjeke, gjegjësisht gjinekologe, ka një përvojë të gjatë të punës saj profesionale në lëmin e gjinekologjisë në qytetin e Prizrenit. Ka edhe një përvojë të gjatë në aktivitetet e ndryshme shoqërore, politike në qytet. Është kyçur në radhët e ADK-së në Prizren. Përvojën e gjatë profesionale që e ka, tani, do, të zbatojë edhe në postin e kryetarit të Prizrenit në rast se do të zgjidhet.

Naxhi Kuqani është kandiduar nga radhët e Partisë Ekologjike të Kosovës, për kryetar të Prizrenit. Me profesion është profesor i fizikës dhe kimisë, me një përvojë të gjatë të mësimdhënies në Prizren. Partia Ekologjike e Kosovës, është parti e re e formuar në skenën politike kosovare, edhe në Prizren është formuar dega e saj, të cilin e udhëheq Naxhi Kuqani. Angazhimi i tij konkret është konform programit të partisë, dhe se në rast se do të zgjidhet kryetar i Prizrenit do të punojë fuqimisht në mbrojtjen e ambientit, natyrës, pastërtisë, ajrit, ujit, gjelbërimit, pyjeve, maleve, etj.

Memnuna Ajdini është kandiduar nga radhët e koalicionit VAKAT, i cili përbëhet kryesisht prej komunitetit boshnjak, për kryetare e Prizrenit. Me profesion është profesoreshë, punon në një shkollë fillore në Prizren. Edhe pse dihet se nuk ka gjasa të fitojë, duhet përgëzuar për guximin e marrë që të garojë, në mesin e shumë kandidatëve, për kryetar të Prizrenit, si dhe krahas dr.Jëlldëze Goranit, është e dyta kandidate për kryetare të Prizrenit nga radhët e gjinisë femërore.

Oruç Karadollami është kandiduar nga radhët e Partisë së Re Demokratike (NDS), kryesisht e përbërë nga komuniteti boshnjak, për kryetar të Prizrenit.
Me profesion është doktor i stomatologjisë, ka një përvojë të duhur punuese në lëmin e tij profesionale. Partia e Re Demokratike(NDS), është partia e re e porsaformuar në Prizren, nga radhët e komunitetit boshnjak, dhe se zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 do të jetë testimi i saj i parë në skenën politike kosovare, nga radhët e komunitetit boshnjak.

Orhan Lopar është kandiduar nga radhët e Partisë demokratike Turke të Kosovës (KDTP-së), për kryetar të Prizrenit. Ka kryer fakultetin filozofik në Turqi, punon në një shkollë në Prizren si mësimdhënës. Është relativisht i ri, i kyçur në KDTP-në, e cila kryesisht është e përbërë nga komuniteti turk në Prizren. Edhe pse nuk ka gjasa të fitojë, duhet përgëzuar atë për moshën që e ka, për guximin e marrë që të garojë në mesin e kandidatëve tjerë për kryetar të Prizrenit, dhe se do të jetë një test i mirë për rezultatin që do të arrijë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit.

Sakib Makasqiu është kandiduar si kandidat i pavarur për kryetar të Prizrenit. Kjo është hera e dytë që garon si kandidat i pavarur për kryetarin e Prizrenit. Duhet përgëzuar për guximin e marrë për të kandiduar në mesin e kandidatëve tjerë, ka një perfomancë dhe stil të posaçëm, do të shohim rezultatin që do të arrijë në votim.

Kryetari pikësëpari duhet të jetë një menaxher i mirë dhe i shkathtë, i cili do të dijë në mënyrë perfekte të udhëheq ekipin e tij qeveritar dhe në situata të ndryshme gjatë së cilës do të ballafaqohej gjatë mandatit të tij katërvjeçar të zgjedh rrugën, mënyrën, qasjen, dhe vendimin më të mirë konform situatës dhe rrethanave në të cilin gjendej.
Struktura profesionale e 14 kandidatëve për kryetar të Prizrenit është me sa vijon: 5 vijnë nga lëmi i arsimi, 3 vijnë nga lëmi i shëndetësisë, 2 nga lëmi i ushtrisë, 2 nga lëmi i arkitekturës, 1 nga lëmi i inxhinierisë dhe 1 nga lëmi i biznesit.

Sido që të jetë gara për kryetar të Prizrenit do të jetë shumë e fortë, në rundin e parë të votimeve që do të mbahen me 15 nëntor 2009 pritet një shpërndarje e madhe e votave në mes kandidatëve, dhe se në balotazh, apo në rundin e dytë të votimeve që do të mbahen me 15 dhjetor 2009, fituesin do ta vendosin votat e 12 kandidatëve të eliminuar nga rundi i parë, të cilët do të japin votën njërit apo tjetrit kandidat në balotazh.

Qytetarët e komunës së Prizrenit, apo elektorati votues, i mbetet që me 15 nëntor 2009 të dalin në votime dhe të votojnë për kandidatin i cili sipas tyre do jetë më i miri për të udhëhequr me Prizrenin gjatë mandatit vijues katërvjeçar.