Komuna e Deçanit, në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, kanë organizuar garën e skijimit “Bjeshkët e Mëdha 2026”, një aktivitet sportiv që synon promovimin e sporteve dimërore dhe bukurive natyrore të bjeshkëve të Deçanit.

Kjo ngjarje mblodhi sportistë dhe dashamirë të skijimit nga vende të ndryshme, duke krijuar një atmosferë sportive dhe promovuese për turizmin dimëror në këtë komunë.


Në garën zyrtare morën pjesë 36 garues nga grupmosha U8 deri tek ajo U30.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha për KosovaPress se Bjeshka e Madhe ofron mundësi të jashtëzakonshme për sport dhe turizëm por edhe për përfitime ekonomike.

"Deri tani e kemi promovuar Bjeshkën e Belegut, këtë vit po e promovojmë Bjeshkën e Madhe, në mesin e Alpeve Shqiptare që është Komuna e Deçanit. Një pistë që ne e kemi ëndërr me pasë edhe teleferikë, pse jo, si produkt. Zoti na ka jep gjithçka dhe ne duhet me ua ofru qytetarëve për shfrytëzim. E kanë një ndërlidhje tepër të madhe në zhvillimin ekonomik, për arsye krejt të thjeshtë: që ta fusim në funksion të potencialit dhe resurseve, pasurinë që Zoti e ka kriju në këtë vend", theksoi Ramosaj.

Rruga për të arritur deri në këtë pistë është shumë vështirë e kalueshme për ata që duan të shkojnë në këtë bjeshkë, por Ramosaj theksoi se komuna që ai drejton po bën gjithçka për ta rregulluar atë.

"Ne kemi punuar vitin e kaluar në këtë rrugë, mirëpo dimri ka bërë të vetën, reshjet po ashtu. Në projeksion e kemi, mirëpo jemi në pamundësi buxhetore për ti dhënë epilog përfundimtar kësaj rruge. Ndoshta pjesë-pjesë, aq sa kemi mundësi, kemi me shku kohë pas kohe duke e mirëmbajtur këtë rrugë dhe ta shtrojmë një pjesë asfalt deri ku na jepet mundësia buxhetore faktike", bëri të ditur Ramosaj.

Nga ana tjetër, Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, për KosovaPress, deklaroi se kjo federatë ka për qëllim promovimin sa më të madh të pistave të tilla të skijimit.

"Realisht është garë promovuese, një lloj qysh kanë qenë edhe garat promovuese te Bjeshka e Belegut. Qëllimi i Federatës së Skijimit është dhe do të jetë që sa më shumë t’i promovojë bjeshkët e Kosovës dhe t’u jep pamje gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës se kemi pista të skijimit aq shumë, sa që fakt edhe ne kemi marrë një iniciativë që t’i promovojmë me gara promovuese kështu siç është edhe kjo", theksoi Kelmendi.

Ai shtoi se me investimin e duhur të institucioneve, kjo pistë mund të bëhet ndër më të mirat në rajon për skijim.

"Prej përvojës edhe prej asaj se çfarë kam kaluar tash e 25 vite nëpër gjithë botën, po shoh një potencial jashtëzakonisht të kësaj bjeshke. Kështu që investimet duhet me qenë sepse rruga ishte shumë e vështirë, nuk ishte e paraparë që të vijnë makinat e vogla, por ia dolëm gjithsesi, erdhëm për ta bërë promovimin e kësaj bjeshke këtu", tha tutje Kelmendi.

E garuesi më i mirë i kësaj gare me kohë 34 sekonda, ishte skitari Klos Vokshi i cili menjëherë pasi e përfundoi lëshimin në pistë, foli për KosovaPress dhe zbuloi se ka një synim të madh në karrierën e tij.

"Synimi është Olimpiada 2030, e cila mbahet në Alpet Franceze. Po ashtu, sezoni i sivjetshëm është duke mbaruar. Javën tjetër kemi Kampionatin e Kosovës në kategoritë më të vjetra në Brod e Dragash, ku po shpresoj se do të jetë një organizim fantastik dhe garuesit e tjerë do të jenë shumë të mirë. Por, siç thashë, synimi kryesor është Olimpiada 2030 dhe Kampionati Botëror vitin tjetër që mbahet në Zvicër, në Crans-Montana në 2027, për ta përfaqësuar Kosovën sa më mirë", theksoi Vokshi.