LAJMI I FUNDIT:

Gabimet e prindërve që nuk i lënë fëmijët të rriten në persona me vetëbesim

Gabimet e prindërve që nuk i lënë fëmijët të rriten në persona me vetëbesim
(Foto: Roots of Action)

Shumë shpesh prindërit bëjnë gabime në rritjen e fëmijëve, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tyre. Prindërit shpesh i mbrojnë shumë fëmijët ose ua lejojnë gjithçka.

Fëmijët në situata të tilla janë të hutuar dhe nuk dinë si të sillen, gjë që në fund të fundit mund të ndikojë në rritjen e tyre.


Më poshtë janë disa gabime që i bëjnë prindërit shpeshherë pa dijeni që mund të ndikojnë negativisht në të ardhmen e një fëmije.

Po përpiqeni t’i mbroni fëmijët nga dështimi dhe rreziku

Për shumë prindër, shikimi i fëmijëve të tyre kur përpiqen të zgjidhin një problem mund të jetë një sfidë e vërtetë, veçanërisht kur e dinë se mund ta zgjidhin lehtë problemin. Por, nëse vazhdoni të përpiqeni të mbroni fëmijën tuaj nga lufta, sfidat, dështimet dhe rreziqet, si do të mësojë ai ndonjëherë se si të merret vetë me vështirësitë e jetës. Situatat e vështira dhe të rrezikshme nga të cilat jeni duke u munduar t’i kurseni, në të vërtetë u mësojnë fëmijëve aftësitë kryesore të zgjidhjes së problemeve dhe më e rëndësishmja, fëmijët mësojnë si të ngrihen përsëri pas një rënieje.

(Foto: PBS)

Prindërit jetojnë ëndrrat e tyre përmes fëmijëve

Ndonjëherë fëmijët kanë shumë më tepër mundësi sesa kishin prindërit e tyre, kështu që për prindërit është kaq joshëse të rijetojnë momentet e çmuara të fëmijërisë së tyre, përmes fëmijëve. Në fakt, shumë prindër bien në këtë grackë mendore dhe ata i jetojnë ëndrrat e tyre përmes fëmijëve të tyre, duke u përpjekur të rimarrin shanset e tyre të humbura. Kjo sjellje mund të dëmtojë ëndrrat dhe dëshirat e një fëmije, duke mos e lejuar atë të përmbushë potencialin e tij dhe të rritet si një person i suksesshëm dhe i lumtur.

Përpiqen të përballojnë gjithçka për fëmijët

Ndonjëherë mund t’u duket e këndshme t’u blejnë fëmijëve gjëra që vet prindërit kur ishin fëmijë nuk i kishin. Sot, ata mund t’u sigurojnë fëmijëve të tyre kaq shumë: grumbuj rrobash dhe lodra të zbukuruara, grumbuj veglash, festa të bukura dhe pushime. Mund të tingëllojë si një fëmijëri e përsosur, por është thjesht një iluzion.

Thyerja e rregullave tuaja

Vendosja e rregullave, por më pas ndryshimi i mendimeve dhe thyerja e tyre mund t’ju kthejë në një prind të paqëndrueshëm që tregon një udhëheqje të dobët. Sipas ekspertëve, kjo sjellje e paqëndrueshme mund të çojë në rritjen e fëmijëve në të rritur me identitet të dobët. Në të ardhmen, ata do të kenë vështirësi të përcaktojnë se kush janë dhe mund të ndjehen të pasigurt. Pra, të jesh një prind i qëndrueshëm që di të marrë një vendim është thelbësore që një fëmijë të rritet.

(Foto: Time Magazine)

Të qenit një model i keq

Prindërit që nuk e praktikojnë atë që kërkojnë, bëhen një model i keq për fëmijët e tyre. Nuk janë vetëm fjalët tona, por edhe sjellja jonë që u mëson fëmijëve tanë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Prindërit duhet të jenë të qëndrueshëm dhe të sillen ashtu siç dëshirojnë të sillen fëmijët e tyre. Kur i mësoni fëmijës tuaj se si të sillet nuk duhet që vet ju ta bëni të kundërtën.

Nënvlerësimi i aftësive të të nxënit te fëmija

Kur fëmija juaj kalon shumë kohë për të zgjidhur një problem matematikor, mos u ngutni t’u thoni se janë dembelë ose të pamotivuar. Ndonjëherë fëmijët tanë mund të kenë vështirësi në të mësuar që nuk varet nga përpjekja dhe motivimi i tyre. Këto mund të jenë, për shembull, vështirësi me shpejtësinë e përpunimit të informacionit ose të kujtuarit të gjërave dhe fëmija juaj mund ta kthejë mësimin në torturë. Nëse vini re se fëmija juaj po lufton gjatë mësimit, ndihma nga një profesionist mund të jetë një ide e mirë.

(Foto: Raising Children Network)

Konkurrenca me një partner prindëror

Për fat të keq, ndonjëherë prindërit fillojnë të garojnë për të qenë prindi më i mirë për fëmijën e tyre – kjo është metodë e gabuar. Kur njëri prind vazhdimisht po përpiqet të tejkalojë tjetrin, kjo mund të dëmtojë përfundimisht marrëdhënien mes tyre dhe të ndikojë negativisht në jetën e fëmijëve të tyre. /Telegrafi/