- Dekorimi i Anton Çettës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova” -

Në mungesë të informacionit, mungesë të një instituti të mirëfilltë për vlerësim të personaliteteve disa figura po ngritën në piedestalin më të lartë duke shkelur mbi figurat më të ndritura kombëtare.


Anton Çetta ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar në Kosovë. Kontribuoi si profesor i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe si punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fiton një popullaritet të jashtëzakonshëm në ndërmarrjen e nismës historike për faljen e gjaqeve dhe pajtimeve në mbarë Kosovën, duke u bërë figura qendrore e këtij misioni madhor në vitin 1990.

Anton Çetta mblodhi qindra mijëra shqiptarë në një fushë dhe i bëri që t’ua shtrijnë dorën e pajtimit njëri tjetrit. Ai me disa bashkëpunëtorë vizitoi mijëra familje rreth e qark Kosovës ku edhe në rastet më të rënda nuk kishte burrë shqiptari që nuk ia falte gjakun Anton Çettë-s.

Falja e gjaqeve llogaritet si vepra me fisnike dhe me humane që i ka ndodh popullit të Kosovës në mileniumin e kaluar.

Pa e ulur veprën politike të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova do të përgjigjesha:
Jo, President Sejdiu ju gabuat kësaj here, do të duhej ta bënit të kundërtën. Ibrahim Rugova ishte një lider politik, një president shpirtëror i Shqiptarëve të Kosovës, humanisti në këtë rast ishte Anton Çetta.

Do të ishte e pranueshme që presidentin Rugova ta nderoni me çmimin për humanizëm Anton Çetta por kurrsesi këtë që e bëtë.

E gjitha kjo mbetet në mëshirën e historisë.

Druajmë se me këtë nismë shumë shpejt të dëgjojmë lajmin që Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Terezë) u nderua me çmimin e lartpërmendur apo Gjergj Kastrioti - Skënderbeu u dekorua me çmimin për heroizëm “Tahir Zema”.

I dashur President, ju lutem prisni historinë të vlerësoj figurat politike e pastaj krijoni dekorata dhe çmime me emrat e tyre.