Joshua Cavallo, futbollisti i parë që e deklaroi publikisht veten homoseksual, pretendon se u përjashtua nga ish-klubi i tij për shkak të homofobisë së brendshme.

Cavallo, i cili së fundmi iu bashkua Stamford AFC pasi u largua nga Adelaide United në maj të vitit të kaluar, bëri bujë globale në vitin 2021 kur pranoi publikisht nëpërmjet një videoje se ishte homoseksual.


Ai tani pretendon se zyrtarët e Adelaide United e ndaluan nga loja për shkak të seksualitetit të tij, diçka që një zëdhënës i klubit tha se ai e mohon kategorikisht.

“Të gjitha vendimet në fushë që lidhen me përzgjedhjen e ekipit merren ekskluzivisht në fushat e futbollit”, thuhet në njoftimin për shtyp të klubit.

Në një postim në Instagram, Cavallo shkroi se i duhej kohë për të “kuptuar se si përfundoi koha e tij te Adelaide United”, por tha se foli sepse tifozët meritojnë ndershmëri.

"Ishte e vështirë për mua ta pranoja kur kuptova se klubi im ishte homofobik. Isha i zemëruar sepse njerëzit mendonin se isha jashtë për shkak të lëndimeve, por në realitet ishte homofobia e brendshme që më mbajti në stol", ka thënë Cavallo.

Një zëdhënës i Adelaide United tha se të gjithë në klub ishin të zhgënjyer nga akuzat e bëra.

“Adelaide United ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës për lojtarët, stafin dhe tifozët, dhe ne mbetemi krenarë për punën tonë të vazhdueshme për të promovuar përfshirjen në futboll”.

Cavallo më parë foli për mënyrën se si merrte kërcënime me vdekje pothuajse çdo ditë pasi vendosi të dilte publikisht, por tha se keqardhja e tij e vetme ishte që nuk doli më herët. /Telegrafi/

telegrafi sport app