Fustan i zhveshur, pamje e guximshme – por çfarë ka në kokë Julia Fox?

Sa herë që mendojmë se nuk mund të shkojë më tej, ajo na befason sërish me një zgjedhje mode që fshin kufirin mes veshjeve të zakonshme dhe artit të mirëfilltë
Aktorja Julia Fox është një nga të paktat gra që e kupton rëndësinë e artit në industrinë e modës. Kombinimet e saj janë më shumë se thjesht veshje për ngjarje madhështore, çdo stil i saj mbart një dozë autenticiteti, por edhe ekscentriciteti.
E njohur për krijimet që zbulojnë pjesë të trupit dhe luajnë me prerje groteske, Julia Fox edhe këtë herë zgjodhi të veshë një fustan të guximshëm që flet më shumë se një mijë fjalë.
Në darkën tradicionale gala që organizon çdo vjeshtë Baleti i Nju Jorkut për hapjen e sezonit, ajo u paraqit me një krijim avangardë, transmeton Telegrafi.

Fustani ngjyrë fildishi përbëhej nga detaje interesante të zeza që ngjanin me lëkurën e gjarprit ose me luspat e peshkut. Prerja ishte bërë në mënyrë që të theksonte linjat e trupit, ndërsa format në pjesën e këmbëve krijonin iluzionin e lëvizjes.
Stilin e kompletoi me taka të larta në ngjyrë limoni, që krijonin kontrast perfekt me tonet e errëta të veshjes. Edhe pse vetë fustani ishte në qendër të vëmendjes, nuk mund të lihet pa përmendur as flokët që lanë shumëkënd pa fjalë.

Siç mund të shihej, Julia i kishte stiluar flokët në një strukturë të fortë, spiralore, që dukej më shumë si vepër arti sesa punë parukeri. Fijet e flokëve ishin ngjyrosur në nuanca vjollce dhe argjendi.
Sa për grimin, ajo kishte zgjedhur tonet e errëta dhe hije në ngjyrë livandeje, që përputhej në mënyrë të përsosur me ngjyrat e flokëve.
/Telegrafi/

















































