LAJMI I FUNDIT:

Furnizim pa ndërprerje me energji elektrike

Furnizim pa ndërprerje me energji elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njofton të gjithë konsumatorët se po bën furnizim 24:00 me energji elektrike për të tri kategoritë.

Ky furnizim që shkon në orët e pikut në afro 1100 megavatë/orë është vazhdimësi e furnizimit tash e disa muaj, dhe paraqet rekord në historinë mbi 60 vjeçare të korporatës.

Por, për të mos ardhur deri tek fytet e ngushta në ndonjë dalje si pasojë e mbingarkesave, KEK apelon tek konsumatorët që të kenë kujdes në konsum gjatë orëve të pikut, përkatësisht nga ora 19:00- 23:00, pra ta kursejnë energjinë elektrike në pajisjet që shpenzojnë shumë, sidomos ato për ngrohje.

Rasti i paraqitjes më të shpeshtë të fytit të ngushtë ka qenë në Malishevë. Ekipet e Divizionit të Shpërndarjes së KEK-ut, falë angazhimit maksimal kanë arritur që brenda 24 orëve të bëjnë zgjerimin e transformatorit në daljen 35/10 kV (kilovolt) nga 4 në 8 MVA (megavolt amper). Pas zgjerimit fyti i ngushtë në këtë pjesë është eliminuar.


Por, si pasojë e erërave të forta që po fryjnë anekënd Kosovës disa dalje janë në prishje. Gjendja më e rëndë është në komunën e Skenderajt ku janë 5 dalje 10 kV në prishje, 2 janë në Gjakovë, një në Prishtinë dhe një në Pejë.

Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po bëjnë të pamundurën që t’i sanojnë sa më shpejtë këto prishje, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/