Fuqitë perëndimore reagojnë ndaj planit të paqes për Gazën të Donald Trump
Plani i presidentit amerikan, Donald Trump për paqen në Gaza është mirëpritur gjerësisht në skenën ndërkombëtare.
Dhe kjo ka ndodhur edhe në mesin e vendeve evropiane, ku udhëheqësit e katër prej shtatë kombeve që përbëjnë G7 kanë folur hapur.
Franca
Emmanuel Macron ishte ndër të parët që reagoi.
Ja një pjesë e asaj që tha ai në një postim në mediat sociale:
"Pres që Izraeli të angazhohet me vendosmëri mbi këtë bazë. Hamasi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të lirojë menjëherë të gjithë pengjet dhe të ndjekë këtë plan".
Italia
Zyra e Giorgia Melonit tha se Italia është gati të luajë rolin e saj, duke shtuar:
"Propozimi i paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump mund të shënojë një pikë kthese, duke mundësuar një ndërprerje të përhershme të armiqësive, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe qasje të plotë dhe të sigurt humanitar për popullsinë civile".
"Hamasi, në veçanti - pasi e nisi këtë luftë me sulmin barbar terrorist të 7 tetorit 2023 - tani ka mundësinë ta përfundojë atë duke liruar pengjet, duke rënë dakord të mos ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës dhe duke u çarmatosur plotësisht".
Mbretëria e Bashkuar
Sir Keir Starmer vlerësoi planin dhe e vuri në qendër të vëmendjes Hamasin.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bashkohen dhe të punojnë me administratën amerikane për të finalizuar këtë marrëveshje dhe për ta bërë atë realitet. Hamasi tani duhet të bjerë dakord me planin dhe t'i japë fund mjerimit, duke ulur armët dhe duke liruar të gjithë pengjet e mbetura".
Gjermania
Duke folur në emër të Friedrich Merz vetëm këtë mëngjes, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se kjo marrëveshje ofron shansin më të mirë për t'i dhënë fund luftës.
"Gjermania është e gatshme të japë një kontribut konkret në zbatimin e planit".
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbuloi të hënën një plan të gjerë paqeje për Gazën.
Plani 20-pikësh, të cilin Trump thuhet se e ka shpërndarë edhe tek udhëheqësit arabë, bën thirrje për një armëpushim, lirimin e pengjeve nga Hamasi, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza.
Pika të tjera kyçe përfshijnë vendosjen e një "force të përkohshme ndërkombëtare stabilizimi" dhe krijimin e një autoriteti kalimtar të kryesuar nga vetë Trump dhe me pjesëmarrjen e udhëheqësve të tjerë të huaj.
Marrëveshja do të kërkonte që militantët e Hamasit të çarmatosen plotësisht dhe të përjashtohen nga rolet e ardhshme në qeveri.
Megjithatë, ata që bien dakord për "bashkëjetesë paqësore" do të amnistoheshin.
Pas tërheqjes së Izraelit, kufijtë do të hapeshin për ndihmë dhe investime. /Telegrafi/






























