LAJMI I FUNDIT:

Funksionimi i drejtësisë, si bazë e zhvillimit

Funksionimi i sistemit të drejtësisë në çdo vend të zhvilluar dhe demokratik është themel i zhvillimit ekonomik. Edhe në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të jetë ndryshe përpos si në shtetet e zhvilluara. Si vend që shpalli pavarësinë para pesë vjetëve, para së gjithash si vend që ka dalë nga një luftë dhe që është në tranzicion, reformat në drejtësi do të duhej të ishin kryesoret për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ne jemi vend i varfër, me papunësi që thuhet se arrin thuajse 50 për qind të fuqisë punëtore. Ne kemi nevojë për investitorë të jashtëm, për kompani të mëdha që po bëjnë dislokimin e fabrikave të tyre nga vendet e zhvilluara në të ashtuquajturën botën e tretë. Ne kemi kapacitete dhe mundësi të shfaqemi atraktivë për këto kompani amerikane dhe evropiane që po largohen nga këto vende për: Kinë, Indi, Brazil dhe vende të tjera. Nuk po them që Kosova të krahasohet me këto vende që u përmendën, pasi një krahasim i tillë do të ishte jologjik, por Kosova padyshim se mund të krahasohet me vendet që e rrethojnë. Ne mund të jemi vend për kompanitë e mëdha sepse:


1. Kemi një popullsi që është më e reja në Evropë;
2. Popullsi që flet anglisht thuajse 70 për qind, forca punëtore tek në është shumë më e lirë se në vendet në të cilat këto kompani kanë operuar më parë. Më e rëndësishmja, padyshim është pozita gjeografike. Ne jemi shtet gjeografikisht në Evropë dhe jemi vetëm dy orë larg njërit prej porteve më ta njohura në Ballkan.

Atëherë pse nuk po përfitojmë nga këto?!

Sepse asnjë kompani nuk mund të vijë të investojë në një vend në të cilin për të nxjerrë një letër apo për të bërë një regjistrim të një kompanie kërkohet mito dhe askush nuk dënohet për të. Sepse, asnjë kompani nuk mund të vijë dhe të investojë në diçka që më vonë mund të dalë dikush me dokumente të falsifikuara dhe ta kërkojë pronën. Se askush nuk mund të vijë të investojë në një vend që ka kopje të dokumenteve kadastrale, e origjinalet i gjenden në një vend tjetër. Para se gjithash, askush nuk mund të vijë t’i investojë paratë në një vend në të cilin nuk funksionon sistemi i drejtësisë.

Po çfarë duhet të bëjmë?

Reforma të thella në drejtësi, aftësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, pastaj këtyre duhet t’u jepet hapësirë për të punuar, duhet të kenë mbrojtje ligjore në mënyrë që të mund t’i akuzojnë dhe t’i ndjekin penalisht edhe “të fortit”, gjithmonë duke u bazuar në fakte dhe vetëm në fakte. Këta duhet të jenë bartës të drejtësisë në vend, e jo misioni tashmë i komprometuar i EULEX-it. Këta duhet të jenë ata që marrin vendime nëpër panele gjyqësore, e jo të mbivotohen nga disa ndërkombëtarë. Padyshim se gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë duhet të jenë të pranishëm dhe t’i ndihmojnë këta tanët, mirëpo në asnjë mënyrë të jenë kryesorët sepse, tekefundit, jemi ne dhe ata gjyqtarë e prokurorë vendorë që do të jetojmë këtu, janë fëmijët tanë ata që do ta trashëgojnë këtë shtet, e jo të këtyre që kanë ardhur për vëzhgim e po na mbivotojnë.

Nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë ka gjyqtarë, prokurorë, hetues që janë të përgatitur dhe duan t’i luftojnë dukuritë negative. Ajo çka atyre u nevojitet është hapësira të cilën po ua marrin ata që kanë ardhur për vëzhgim. E kur sistemi i drejtësisë fillon të funksionojë, do të kemi rritje ekonomike, do të kemi investime të huaja, do të kemi rënie të papunësisë, rrjedhimisht ngritje të standardit të jetesës së popullit të Kosovës.