Funksionaliteti i qeverisë apo zgjedhje demokratike?
Ditëve të fundit debatohet shumë rreth mundësive për zgjedhje të ashtuquajtura të jashtëzakonshme si rezultat i prishjes së koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së. Është me rëndësi ndoshta shkurt të sqarohet këtu se termi ‘zgjedhje të jashtëzakonshme’ nuk figuron askund në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e as në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ky term si duket është shpikur nga vet politikanët dhe përdorur apo ndoshta edhe përkrahur nga krijuesit e opinionit publik në Kosovë për të treguar se shteti është në një krizë të madhe, për të krijuar panik dhe se për këtë kërkohen zgjidhje emergjente. Kjo çështje nuk është qëllimi i këtij shkrimi, edhe pse ka rëndësi të madhe në krijimin e panikut në mes të qytetarëve për të legjitimuar synimet për zgjidhje emergjente.
Ta sqarojmë këtë terminologji, me zgjedhje të jashtëzakonshme mendohet që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur, dhe koha e mundshme për këto zgjedhje e cila qarkullon nëpër media është dhjetori 2010; ndërsa me zgjedhjet e parakohshme mendohet zgjedhjet e shpallura nga Presidenti në detyrë z. Jakup Krasniqi për t’u mbajtur me 13 shkurt 2011.
Debati tani është zhvendosur në dikotominë e funksionalitetit të shtetit dhe cilësisë së zgjedhjeve, thënë më thjeshtë zgjedhjet në dhjetor 2010 do të funksionalizonin shtetin më shpejtë por ndoshta duke komprometuar cilësinë e zgjedhjeve, kurse zgjedhjet në shkurt 2011 me siguri do të ishin më cilësore por në ndërkohë shteti nuk do të jetë funksional.
Disa argumente që përdoren për t’u mbajtur zgjedhjet në dhjetor janë mosfunksionaliteti, diskontinuiteti, mosmiratimi i buxhetit për vitin 2011, etj. Të shohim shkurtimisht se a qëndrojnë këto argumente. Me mosfunksionalitet mendohet se shteti nuk do të jetë në gjendje të marrë vendime të nevojshme për mbarëvajtjen e institucioneve qeveritare. Së pari kjo nuk është e vërtetë për shumicën e ministrive të cilat janë udhëhequr dhe ende udhëhiqen nga PDK, sepse këto ministri vazhdojnë punën sikurse edhe më herët. Janë vetëm gjashtë ministri të cilat kanë mbetur pa ministra dhe këto momentalisht drejtohen nga zëvendësministra apo sekretarë permanent. Kjo do të thotë se këto gjashtë ministri janë të hendikepuara por assesi nuk janë jofunksionale për arsye se zëvendësministrat janë staf politik dhe kanë kompetenca për marrjen e vendimeve politike. Sekretarët permanent në anën tjetër janë staf civil dhe nuk mund të marrin vendime politike, por në rast urgjence vendimet mund të merren nga kabineti qeveritar apo vet Kryeministri. Për më tepër, Kryeministri ka të drejtë të emëroj ministra pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës të cilët do të mund të udhëheqin me këto ministri deri në zgjedhjet e ardhshme. Kjo konsiderohet se mund të dëmtojë PDK-në në procesin zgjedhor dhe prandaj Kryeministri nuk dëshiron të ndërmarrë një hap të tillë.
Pa dashur të hyjmë në këto kalkulime politike, mund të themi se ky argument i mosfunksionalitetit mund të qëndrojë vetëm për një numër të vogël të ministrive për vendimet politike të të cilave mund t’i gjendet zgjidhja në këtë gjendje politike. Më tej thuhet se duhet të shkohet në zgjedhje në dhjetor 2010 sepse qeveria me apo pa ministra të ri në gjashtë ministritë do të ketë diskontiunitet. Në çfarë diskontiuniteti mendohet këtu? Nëse është fjala për vakuumin në vendimmarrje, kjo është çështje të cilën sapo e sqaruam. Nëse është çështje e punëve të përditshme të qeverisë, atëherë kjo nuk është fare problem sepse këto punë kryhen nga shërbyesit civil, të cilët vazhdojnë të punojnë sikurse më herët, dhe ministrat duhej te kishin fare pak apo aspak ndikim në këtë drejtim. Pra edhe argumenti i dytë duket se ‘nuk pinë ujë’.
Buxheti i vitit 2011 është më problematik, por ku qëndron problemi – në përgatitjen e buxhetit apo miratimin e tij? Nëse problemi është te përgatitja atëherë mund të thuhet se edhe kjo punë kryhet kryesisht nga shërbyesit civil dhe sekretarët permanent, të cilët vazhdojnë punën si zakonisht. Aty ku kërkohet ministri në procesin e përgatitjes së buxhetit është drejtimi i përgjithshëm për prioritetet e një ministrie të caktuar. Por procesi i përgatitjes së buxhetit është në fazën përfundimtare dhe prioritetet deri tani janë dashur te jenë të përcaktuara në detaje të mjaftueshme në mënyrë që ky proces të përfundoj pa problem. Në anën tjetër, përgatitja e buxhetit është bërë proces aq rutinor dhe burokratik sa që nëse krahasojmë buxhetet vjetore do të vërenim ndryshime shumë të vogla. Për më tepër buxheti diskutohet në qeveri dhe miratohet nga kabineti në përputhje me prioritetet qeveritare, gjë që mund të ndodh edhe tani.
Nëse, në anën tjetër, problemi është te miratimi i buxhetit, atëherë kjo ka të bëjë me Kuvendin e Kosovës e jo me qeverinë. Kuvendi, siç e dimë, është i kompletuar dhe funksional i cili mund të diskutojë projekt buxhetin dhe ta miratojë me apo pa ndryshime. Këtu hyjnë kalkulimet politike se partitë opozitare së bashku me LDK mund të kundërshtojnë projekt buxhetin. Nuk dua të flas për këto kalkulime të mundshme, mirëpo më duhet të potencoj një çështje: të gjitha partitë politike synojnë të fitojnë zgjedhjet, të marrin pushtetin dhe të qeverisin vendin dhe në këtë drejtim askujt nuk i konvenon që të marrë qeverisjen pa buxhet të miratuar. Kjo për arsye se në këtë rast miratimi i buxhetit do të merrte kohë shtesë pas konstituimit të qeverisë (sepse qeveria e re mund të kërkonte ndryshime në çështje të caktuara buxhetore) dhe ndikojë negativisht në zbatimin e programit dhe përmbushjen e objektivave të qeverisë. Nëse e marrim parasysh edhe ndikimin e ‘miqve tanë ndërkombëtarë’ në këtë proces, realisht nuk pritet që të ketë probleme serioze në këtë drejtim.
Pra siç shihet problematizimi i çështjeve te caktuara nga subjektet politike por edhe krijuesit e opinionit publik kanë zgjidhje praktike të cilat mund të zgjasin qeverinë aktuale për të mundësuar zgjedhje më cilësore. Por edhe në rast se me të vërtetë qeveria ka probleme serioze për funksionim, duhet pasur parasysh se dallimi kohor në mes të zgjedhjeve në dhjetor 2010 dhe shkurt 2011 është vetëm dy muaj kalendarik. Por në rast se zgjedhjet mbahen në dhjetor 2010, ky dallim kohor është edhe më i vogël sepse gjysma e dhjetorit dhe janarit përfshinë një numër të konsiderueshëm të ditëve festive dhe shumica e ‘miqve ndërkombëtarë’ nuk janë në Kosovë për të fasilituar krijimin e koalicionit qeverisës. Ky dallim i vogël kohor për funksionalizimin e qeverisë është shumë më i madh dhe më i rëndësishëm për cilësinë e zgjedhjeve sepse KQZ-ja do të kishte më shumë komoditet për të organizuar zgjedhjet.
I gjithë fokusi i debateve është zhvendosur pra në kohën e zgjedhjeve dhe se a do të jetë e mundshme për KQZ-në të organizoj zgjedhjet në kuadër të standardeve të kërkuara demokratike, gjë që është shumë me rëndësi dhe nuk kontestohet nga askush. Ndërsa në anën tjetër një çështje shumë e rëndësishme që ka të bëjë me këto standarde demokratike anashkalohet nga të gjithë dhe asnjëherë nuk kam lexuar apo dëgjuar që dikush të analizojë më thellë ‘vullnetin’ e partive politike dhe KQZ-së për të pamundësuar votimin me kusht me ligjin e ri apo të amandamentuar zgjedhor.
Por para se të shkojmë te votimi me kusht, le të përmendim së pari shkurtimisht standardet demokratike të zgjedhjeve të cilat janë pjesë e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parimet kryesore të zgjedhjeve demokratike kompetitive përfshijnë votimin universal, të barabartë, të drejtpërdrejt, të fshehtë dhe të lirë. Në këto kategori hyn e drejta e patjetërsueshme e çdo qytetari me të drejtë vote për të votuar dhe për t’u votuar (edhe pse këto përmbajnë kufizime të parapara me ligj, d.m.th. kush nuk ka të drejtë vote dhe kush nuk mund të kandidohet). Këto të drejta kanë lindur si rezultat i një lufte të gjatë në vende dhe nga popuj të ndryshëm në botë dhe janë bërë pjesë e të drejtave themelore të njeriut të garantuara me një sërë dokumente ndërkombëtare, të cilat i ka pranuar edhe Kosova.
Të kthehemi të votimi me kusht - çka është votimi me kusht? Ky lloj votimi parashihet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës i cili thotë se personat emri i të cilëve nuk figuron në listën përfundimtare të votuesve apo pranë emrit të të cilëve gjendet një shenjë mund të votojnë me kusht. Ligji nuk specifikon rastin e parë, pra pse emrat mund të mos figurojnë në listat përfundimtare të votuesve. Një prej mundësive që kjo të ndodh është kur votuesit nuk lodhen për të verifikuar nëse gjenden ne listën e votuesve në afatet e parapara para zgjedhjeve apo nga gabimet e bëra nga ata që përpilojnë këto lista edhe nëse votuesi ka bërë verifikimin paraprakisht, raste të cilat nuk kanë munguar në të kaluarën në Kosovë. Partitë politike dhe KQZ-ja rekomandojnë që në rastet e tilla (pra edhe nëse votuesi ka bërë verifikimin dhe gabimi është bërë nga përpiluesit e listave të votuesve), qytetarit me të drejte vote të mos i lejohet të votoj.
Mundësia e dytë e votimit me kusht që parashihet në mënyrë eksplicite me ligjin për zgjedhjet në fuqi është për personat me aftësi të kufizuara ose analfabetët, të cilët në pamundësi për të votuar vet mund të kërkojnë ndihmën e një personi tjetër të zgjedhur nga vet votuesi, i cili do të plotëson fletëvotimin në emër të tij/saj. Edhe në këtë rast, po qe se KQZ-ja dhe partitë politike vendosin të pamundësojnë votimin me kusht, ata do të ia marrin të drejtën themelore kategorive më të ndjeshme të shoqërisë kosovare, për të cilët ndoshta kjo është mundësia e vetme me anë të së cilës mund të shprehnin vullnetin e tyre politik sepse edhe ashtu mundësitë tjera për pjesëmarrje në jetën publike i kanë shumë të kufizuara.
Cilat janë arsyet për këtë propozim? E para është se KQZ-ja ka telashe të mëdha të merret më këto vota sepse janë procedura të veçanta dhe të koklavitura. E dyta, sepse këto vota vonojnë shpalljen e rezultateve. A thua vallë, ma e rëndësishme është shpejtësia e shpalljes së rezultateve apo shfrytëzimi i së drejtës themelore për të shprehur vullnetin politik? Nëse kjo është më e rëndësishme, atëherë këtu nuk mund të flitet për proces të drejtë dhe fer të zgjedhjeve e lëre më për shtet demokratik të Kosovës. Arsyeja e tretë është sepse këto lloj votash janë keqpërdorur, për mos të thënë vjedhur, më së shumti në zgjedhjet e kaluara. Do të thotë, nëse dikush mua ma keqpërdor votën, atëherë më mirë është që unë mos të kem fare të drejtë vote. Po ku e morrën more këta politikanë dhe përfaqësues të KQZ-së të drejtën për të vendosur se a kam unë drejtë vote apo jo? Nëse mua më thyhen të dyja duart një ditë para zgjedhjeve dhe nuk mund të votoj vet, por më duhet ndihma e tjetërkujt, atëherë sipas mendimit të tyre unë nuk vlej sa ata dhe nuk mund të votoj sepse vota ime është e pabarabartë me të tyren – absurd.
Me këto propozime ata shkelin të drejtën elementare të njeriut, shkelin ligjet në fuqi por edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilën thonë se është udhërrëfyes dhe bazament për çfarëdo zgjidhje që vendosin, pavarësisht a vendosin për zgjedhje në dhjetor 2010 apo shkurt 2011. Por frika ime është se nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor 2010 presioni publik për të adresuar këto çështje do të mungojë, sepse fokusi i debateve gjithnjë zhvendoset në çështje tjera ‘madhore’ ndërsa këto që kanë të bëjnë me të drejtën tonë elementare anashkalohen nga të gjithë. Për më tepër në një situatë potencialisht emergjente këto ndryshime në ligjin për zgjedhje do të kalojnë shumë shpejtë pa i shqyrtuar sa duhet në Kuvendin e Kosovës, sikur që ndodh shpesh me ligje të ndryshme.




















































