37-vjeçari, baba i tre fëmijëve, për motive ende të pasqaruara, është vetëvrarë me armën e tij zyrtare në mbrëmjen e 13 shkurtit në shtëpinë e tij në fshatin Loxhë.

Krejt çfarë dihet është se i ndjeri, para se të vetëvritej, ka shkruar një letër, të cilën e ka lënë afër vetes. Në këtë letër, dyshohet se ai ka shkruar tërë ato që ka pasur ndërmend, duke përfshirë edhe motivin që e ka shtyrë të kryejë këtë akt, shkruan Express.


Megjithëkëtë, zyrtarë të Policisë së Kosovës janë shumë të rezervuar për të treguar detajet që përmban letra. Ata tregojnë se rasti është nën hetime dhe se aktualisht janë duke u hetuar të gjitha motivet e mundshme që kanë shtyrë këtë polic të ndërmarrë një hap kaq radikal.
Ky nuk është rasti i parë që një pjesëtar i Policisë së Kosovës ndahet nga jeta, por është i pari që vetëvritet. Pavarësisht kësaj, çudia është se policia nuk e ka publikuar fare lajmin për këtë vetëvrasje, ashtu siç zakonisht ata veprojnë.

Madje policia është e gatshme të njoftojë opinionin edhe për ngjarje fare pak të rëndësishme, siç mund të jetë ofendimi që një qytetar i bën pjesëtarit të saj.

Shpjegimi i zyrtarëve të policisë në Prishtinë, për heshtjen që kanë treguar në lidhje me këtë vetëvrasje, është fare i thjeshtë.

“Kush ka kërkuar informacione për këtë rast, ne e kemi konfirmuar”, thotë Brahim Sadriu, njëri nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Ndërkohë, zyrtarë të policisë për rajonin e Pejës, e konfirmojnë këtë vetëvrasje të kolegut të tyre, por pa qenë në gjendje të japin ndonjë motiv për rastin.

“E konfirmoj se rasti ka ndodhur më datën 13 shkurt. Pjesëtari i Policisë Kufitare në Kullë, që ndan Kosovën me Malin e Zi, ka bërë vetëvrasje me armën e tij zyrtare“, thotë Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës. Sipas tij, në momentin kritik, anëtarët e familjes së të ndjerit nuk ishin prezentë në shtëpi, pasi ata kanë qenë diku mysafirë. “Motivi i vrasjes ende nuk dihet. Rasti është duke u hetuar nga Njësiti i Hetimeve Rajonale, sektori për Krime Serioze“, ka thënë zëdhënësi Ibraj. Sipas tij, në lidhje me këtë rast është duke u punuar mbi të gjitha rrethanat e dyshuara që e kanë shtyrë policin të bëjë vetëvrasje.

Shefi i Policisë Kufitare, Shaban Guda, shpjegon se në kohën kur ka ndodhur ky rast, nuk ka qenë në Kosovë. Megjithëkëtë, ai thotë se ky rast nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe beson se Policia e Kosovës e ka dhënë njoftimin për rastin. Ai shprehet i bindur se Zyra për Informim në Prishtinë e ka dhënë njoftimin për këtë ngjarje dhe premton se do të kërkojë shpjegime se për çfarë arsyesh ka mundur të ndodh kjo “shmangie” e shpërndarjes së njoftimit.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Kosovapress ka raportuar për spekulimet se vrasja e Ademajt është e lidhur me konfiskimin e një sasie mishi, më 10 shkurt, në pikën kufitare të Kullës, mes Malit të Zi dhe Kosovës. Njësiti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Peja në bashkëpunim me zyrtarët doganorë dhe ata të AVUK-ut kanë konfiskuar 28 000 kilogramë mish, që dyshohet të ketë prejardhjen nga India. Po ashtu, spekulohet se në letër polici ka shënuar edhe emrat e atyre që e kanë kërcënuar. /Telegrafi/