Fshati Grindelwald në Malësinë e Bernit konsiderohet si një nga trevat malore më të njohura në Zvicër.

Gjatë dimrit turistët shkojnë për skijim, gjatë verës bjeshkatarët.


Peizazhi i Malësisë së Bernit tërheq qindra mijëra vizitorë çdo vit.

Vetëm në majën Jungfraujoch, e cila gjendet në 3450 metra lartësi mbidetare, udhëtojnë mbi një milion vizitorë në vit.

Si shumë fshatra zvicerane edhe Grindelwald jeton nga turizmi. Por tani komuna po rebelohet kundër turizmit.

Një projekt hoteli me rreth 200 shtretër nuk do të realizohet.

Investitorët kanë tërhequr planet e tyre pasi komuna kishte sinjalizuar se nuk do ta mbështeste nismën.

“Duhet të ruajmë ekuilibrin midis rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës për vendasit”, tha kryetari i komunës, Beat Bucher, sipas medumit publik zviceran SRF.

“Infrastruktura ekzistuese arrin gjithnjë e më shpesh kufijtë e saj.”

Politikanët lokalë në Grindelwald theksojnë se më shumë vizitorë do të rëndonin rrugët, furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbeturinave.

Sipas kryetarit të komunës, disponimi te popullata është i qartë: për momentin nuk duhet të ketë më shumë turizëm.

Që Grindelwald po përpiqet të luftojë vërshimin e turistëve nuk e befason ekspertin e turizmit Jurg Stettler: “Pikat më të frekuentuara janë gjithnjë e më shumë nën presion.” /Telegrafi/