LAJMI I FUNDIT:

Fshati që gjallërohet një herë në vit

Fshati që gjallërohet një herë në vit

Mes luleve, maleve dhe qetësisë që sjellë natyra, jo më larg se 40 minuta nga kryeqendra, mes Gjilanit e Prishtinës ndodhet fshati Kukaj. Pothuajse ka mbetur i zbrazët, vetëm tek-tuk gjen ndonjë shtëpi të banueshme.

Është plaku Daut i cili mban ‘gjallë’ fshatin, në të cilin po kalon pjesën tjetër të jetës. 82-vjeçari thotë se në këtë fshat dikur kishte jetë. Me nostalgji tregon për vendin ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij.


“Ky vend është i mirë, e ka ajrin e mirë, kush është i sëmurë prej mushkërive apo astmës, Kukaj është vend i mirë. Unë këtu kam lind e jam rrit… kanë dalë të gjithë; e kanë lëshu katundin, mirëpo unë nuk jo, kam qëndru këtu, kam ruajt kafshë… Përpara kemi qenë në katund 28 shtëpi, tash kemi mbet shtatë-tetë shtëpi”, tregon ai.

Për plakun 82-vjeçar nuk ka qenë aspak e lehtë të shihte fshatin tek zbrazej. Ka nëntë vjet që ai pret të vije vera dhe fshatit t’i kthehet gjallëria, ashtu siç e mban mend dikur. Madje, thotë se gjatë gjithë jetës përjetoi dy gëzime të mëdha.

“Jam shumë i kënaqur që u hap ky ‘Etnofesti’, edhe po vijnë motra e vëllezër kosovarë… Ata që vijnë munden me pa që ky është vend i shëndosh… Unë jam ftohë një herë krejt, thashë mbet fshati vetë, mirëpo tash që është pasuruar jam shumë i kënaqur. Më i kënaqur se tash vetëm një herë kam qenë, kur më kanë shpëtu fëmijët prej luftës”, rrëfen ai.

Në fshatin Kukaj të Prishtinës, për nëntë vjet me radhë po vazhdon edicioni i Festivalit “Etno Fest”, i cili promovon vlerat e artit dhe kulturës tradicionale dhe moderne. Drejtori artistik i festivalit, Ilaz Hysaj, thotë se ky festival përfaqëson një aktivitet të gjerë.

“Kemi shumë ekspozita të arteve pamore, ekspozita etnografike, pjesë të teatrit dhe performanca të ndryshme… Atelie demonstrative, zeje të vjetra dhe artizanale, kulinari tradicionale… Dhe, shumë aktivitete të tjera që në një formë apo tjetrën e prezantojnë në një mënyrë gjithëpërfshirëse traditën e kulturën tonë që po rrezikon të zbehet ose zhduket”, tha Hysaj.

Vizitorët këtë herë kanë mundësi t’i shohin 11 ekspozita, tri etnografike dhe tetë të arteve pamore, punime artizanale e atelie të skulptorëve. Hysaj thotë se është shumë i kënaqur me numrin e vizitorëve në këtë edicion. /KP/