Frizurat dhe ngjyrat që gratë mbi 50 vjeç duhet t’i shmangin këtë vjeshtë

Shmangni ngjyrat e errëta dhe prerjet strikte, sepse ato theksojnë moshën në vend që ta fshehin
Disa ngjyra flokësh mund të nxjerrin në pah çdo rrudhë dhe vijë në fytyrë, pikërisht atë që shumica e grave pas të 50-ave duan ta shmangin.
Një frizurë e mirë mund të bëjë shumë për pamjen: të fshehë mangësitë, të theksojë anët më të bukura, të freskojë dukjen, por edhe nëse nuk është e zgjedhur mirë, të na bëjë të dukemi më të moshuara.
Me ardhjen e trendeve të vjeshtës, ngritet pyetja: cilat janë frizurat dhe ngjyrat e flokëve që duhet shmangur pas të pesëdhjetave?

Ngjyra e flokëve
Sipas revistës The Voice, gratë mbi 50 vjeç duhet të harrojnë ngjyrat e errëta. Flokët e zinj, kafe shumë të errët apo edhe të kuq të errët e theksojnë moshën dhe e bëjnë fytyrën të duket më e ashpër. Përveç kësaj, ato nxjerrin në pah çdo rrudhë, duke e theksuar plakjen.
Ekspertët këshillojnë të orientoheni drejt nuancave më të çelura, me reflektime të buta dhe prarime që duken sa më natyrale, sikur flokët t’i ketë djegur dielli, transmeton Telegrafi.

Pa linja të rrepta
Kur bëhet fjalë për modelin e flokëve, duhet të shmangni prerjet me “vija të forta”. Frizurat shumë të rregullta theksojnë linjat e fytyrës dhe, pas moshës 50 vjeç, kjo nuk është zgjedhja më e mirë. Njësoj si ngjyra e gabuar, edhe prerja e ashpër e nxjerr më shumë në pah çdo rrudhë.
Një alternativë më e favorshme janë prerjet me shkallëzim, të cilat japin lëvizje dhe freski. Po ashtu, balluket që bien mbi ballë ndihmojnë të mbulohen vijat horizontale, duke ofruar një dukje më të re.
Nëse keni kaçurrela, shkallëzimi është opsioni më i mirë, sepse i jep volum flokut, duke kompensuar hollimin natyral që vjen me kalimin e moshës. Ndërsa për gratë që shqetësohen për zonën e qafës, rekomandohet gjatësia mesatare: flokë që bien butësisht mbi supe, të rregullt dhe të kuruar.
Pra, çelësi është të shmangni ngjyrat shumë të errëta dhe prerjet strikte, duke zgjedhur nuanca të ndritshme dhe frizura të lehta e të gjalla që i japin fytyrës shkëlqim dhe freski. /Telegrafi/
















































