LAJMI I FUNDIT:

Ford Explorer 2020 me enterier shumë të qetë (Foto)

Ford Explorer 2020 me enterier shumë të qetë (Foto)

Për të ndaluar depërtimin e zhurmës, janë vendosur disa shtresa për qetësi maksimale

Si makina SUV më e shitur në Shtetet e Bashkuara, nuk ka dyshim se Explorer është vetura më e rëndësishme për Ford, transmeton Telegrafi.

Që të mbajë nivelin e duhur, prodhuesi e ka pajisur me elementet më të sofistikuara edhe versionin 2020, që është prezantuar në Detroit Auto Show.

Veçanti e kësaj makine, është enterieri shumë i qetë, brenda së cilit nuk dëgjohet thuajse asgjë nga makineria apo ambienti i jashtëm.

“Kemi kaluar shumë kohë me klientët e Explorer dhe kemi marrë për bazë, se çfarë iu pëlqen më së shumti në këtë makinë. Ka dalë se e pëlqejnë rehatinë maksimale dhe shoqërinë mes vete kur janë duke udhëtuar” ka thënë Craig Patterson, zyrtar i lartë në Ford. Andaj, është vendosur që shoqëria mes familjarëve dhe miqve të bëhet në qetësi të plotë dhe pa ndikime nga jashtë.

Kjo është arritur duke përdorur një mur ndarës me pjesës së përparme të kabinës dhe pjesës së hapësirës ku ndodhet motori, për të ndaluar zhurmën motorike. Në ndalimin e zhurmave të ambientit, janë përdorur dy shtresa xhami, që kanë ndërmjet plastikë të tejdukshme.

Sistemi Ford Active Noise Control, është realizuar nga disa mikrofona të shpërndarë në Explorer, që reduktojnë çdo zhurmë tjetër të padëshiruar. /Telegrafi/