Forcojnë muskujt, por dëmtojnë veshkat: e vërteta për pijet sportive

Këto produkte, që shpesh nuk janë aspak të lira, në disa raste mund të jenë me cilësi të dyshimtë dhe të mos japin efektet që premtohen në reklama
Edhe pse po bëhen gjithnjë e më të njohura si mënyrë për të forcuar muskujt dhe për t’u rikuperuar pas aktivitetit të lodhshëm fizik, pijet dhe pijet proteinike nuk rekomandohen për të gjithë.
Sipas ekspertëve, ato nuk mund ta zëvendësojnë ushqimin e shëndetshëm dhe të balancuar. Në disa raste, përveç çmimit të lartë, përmbajtja e tyre mund të jetë krejt tjetër nga ajo që tregohet në etiketë, në vend të një pijeje me përmbajtje të lartë proteinash, mund të rezultojë thjesht një pije e ëmbëlsuar me pak proteina.
Lexoni etiketën para blerjes
Sipas dietologes Amy Bragagnini, shaket proteinike mund të jenë zëvendësim i shpejtë për mëngjes ose një vakt të vogël pas stërvitjes. Marrja e mjaftueshme e proteinave pas ushtrimeve është thelbësore për rikuperimin dhe ndërtimin e muskujve. Ato janë hidruese, të lehta për t’u përgatitur dhe duhen pirë brenda një ore pas stërvitjes, kur trupi i përthith më mirë lëndët ushqyese, sipas Akademisë Kombëtare të Mjekësisë Sportive.
Megjithatë, nuk mund të jenë zëvendësim për një dietë të plotë, por vetëm një shtesë e përshtatshme për ata që kanë nevojë për më shumë proteina, thekson Dr. Shannon Dauler.
Këto pije mund të jenë të dobishme për persona që kërkojnë të shtojnë peshë trupore, apo që po rikuperohen pas trajtimeve rraskapitëse si kimioterapia, transmeton Telegrafi.
Mangësitë e pijeve proteinike
Pijet proteinike nuk ofrojnë lëndët ushqyese në të njëjtën mënyrë dhe cilësi si ushqimi i vërtetë.
“Është e rëndësishme që pijet proteinike të mos zëvendësojnë kurrë një vakt të plotë apo një grup të caktuar ushqimesh”, thekson Bragagnini.
Ajo rekomandon alternativa më natyrale: “Kosi grek, fara lini ose chia mund të jenë zëvendësues të shëndetshëm për pluhurat proteinike”.

Efektet anësore dhe kujdesi
Proteinat pluhur konsiderohen suplement ushqimor, prandaj nuk janë rregulluar rreptësishtë nga autoritetet, që do të thotë se përmbajtja e tyre nuk është gjithmonë e garantuar.
“Lexoni me kujdes etiketën para blerjes, sepse mund të merrni një pije të ëmbëlsuar me shumë pak proteina”, paralajmëron Dr. Dauler.
Disa produkte përmbajnë ëmbëltues artificialë ose alkoole sheqernash, të cilët mund të shkaktojnë fryrje dhe gazra, shton Bragagnini. Kujdes i veçantë duhet treguar nëse jeni intolerant ndaj laktozës.
Kur proteina mund të dëmtojë?
Ekspertët theksojnë se duhet të ruhet balanca në marrjen ditore të proteinave.
“Teprica e proteinave mund të dëmtojë veshkat dhe të shkaktojë komplikime te personat që tashmë kanë probleme me funksionin renal”, paralajmëron Dr. Dauler.
Sipas klinikës Mayo, teprica e proteinave mund të sjellë kapsllëk, dhimbje koke dhe erë të keqe të gojës.
Si ta dimë nëse po marrim mjaftueshëm proteina?
Mënyra më e mirë është të analizohet dieta e përditshme. Sasia e rekomanduar ditore është 0.8 gramë proteina për çdo kilogram të peshës trupore. Sportistët, punëtorët fizikë dhe fëmijët në zhvillim kanë nevojë për sasi pak më të larta.
“Një mjek ose dietolog mund të analizojë marrjen e kalorive, indeksin e masës trupore dhe stilin e jetesës për të dhënë një rekomandim të personalizuar”, thotë Dauler.
Burimet më të mira të proteinave janë:
▪ mishi i pulës (100 g = 32 g proteina),
▪ peshku (100 g ton = 24 g proteina),
▪ produktet e qumështit, vezët, fasulet, bishtajoret dhe frutat e thata.
/Telegrafi/




















































