LAJMI I FUNDIT:

Fondi kreditor, shtyllë për bizneset e Kosovës

Fondi kreditor, shtyllë për bizneset e Kosovës

Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, po kontribuon që të rritet qasja në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e sidomos bizneset në pronësi të grave dhe sektorët tjerë ekonomikë që kanë qasje të limituar në financa

Edward Nolan, drejtori menaxhues në detyrë i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, institucion i themeluar me mbështetje të USAID-it në Kosovë, ka deklaruar se pranimi i garancive të kredive ka filluar që nga fundi i shtatorit të këtij viti, dhe portfolio deri më tani arrin shumën afër 3 milionë euro.


Nolan, në një intervistë për RTKlive, ka thënë se synimi i fondit është të rritet qasja në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e sidomos bizneset në pronësi të grave dhe sektorët tjerë ekonomikë që kanë qasje të limituar në financa.

RTKlive: Si e vlerësoni punën e deritashme të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore?

Nolan: Tani që jemi funksional, ne kemi filluar të pranojmë garanci për kredi nga bankat që kanë marrëveshje me Fondin. Puna e deritanishme është e kënaqshme. Pranimi i garancive të kredive ka filluar që nga fundi i shtatorit të këtij viti, dhe portfolio deri më tani arrin shumën afër 3 milionë euro. Kreditë u janë dhënë bizneseve në fusha të ndryshme të ekonomisë,dhe të shpërndara pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës. Presim që ritmi të përshpejtohet pasi që bankat të jenë adaptuar me këtë proces.

RTKlive: A ia ka dalë Fondi që të arrijë synimet e tij?

Nolan: Synimi ynë kryesor është të rrisim qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e sidomos bizneset në pronësi të grave dhe sektorët tjerë ekonomikë që kanë qasje të limituar në financa. Besoj se jemi në proces të arritjes së këtij synimi. Më shumë se gjysma e kredive që janë nën garancionin tonë, u janë ofruar huamarrësve të rinj. Arritja e këtij qëllimi, natyrisht, ka ndikuar në rritjen e prodhimtarisë së bizneseve dhe kjo do të rrisë mundësitë për punësim dhe zgjerim të bazës tatimore. Indikacionet e para nga të dhënat që janë duke u futur në sistemin tonë nga bankat kredidhënëse tregojnë që kjo tashmë po ndodh.

RTKlive: Çfarë aktivitetesh ka pasur Fondi që nga themelimi?

Nolan: Aktivitetet tona ishin orientuar në dy drejtime; së pari, ne synonim regjistrimin e bankave dhe arritjen e marrëveshjeve të garancisë me të gjitha bankat që janë të gatshme për të marrë pjesë në programin e garancisë. Deri në fund të këtij muaji, 7 banka do të jenë regjistruar në Fond, përfshirë këtu dhe bankat më të mëdha në vend. Ne patëm përkushtuar aktivitetet tona për ta bërë Fondin funksional dhe e kemi arritur atë. Linja tjetër e aktiviteteve, po aq e rëndësishme sa e para, përfshin aktivitetet tona gjithëpërfshirëse të programit të vetëdijësimit të grupeve të synuara, në kuadër të së cilës organizohen punëtori mbi qasjen në financa dhe kulturën financiare nëpër komuna të ndryshme dhe në bashkëpunim me programe të donatorëve të ndryshëm. Ne gjithashtu kemi organizuar sesione fillestare për bankat në mënyrë që t’u shpjegojmë atyre qëllimet e Fondit si dhe t’i aftësojmë lidhur me çështjet tjera teknike në mënyrë që të mund të fusin të dhënat rreth kredive në sistemin tonë të të dhënave. Dëshira jonë është që sa më shumë biznese të kenë dijeni për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe të kuptojnë për çfarë shërben ai, si dhe se si mund të kenë qasje në produktet tona.

RTKlive: Si e kanë pritur një Fond të këtillë të garancive bizneset dhe institucionet tjera?

Nolan: Komuniteti bankar e kupton mirë punën e Fondit dhe bashkëpunimi e mbështetja e tyre është e rëndësishme për suksesin e Fondit. Besoj që, përmes programit tonë për vetëdijesim, bizneset çdo ditë e më shumë janë duke shtuar njohuritë për potencialin që ofron Fondi për rritjen e tyre si biznese, dhe mund të them se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është mirëpritur nga komuniteti i biznesit. Natyrisht, ne dëshirojmë të bëjmë më shumë, dhe mund të bëjmë më shumë. Momentalisht kemi kapital të mjaftueshëm për të mbuluar garancionet që po i ofrojmë, por sa më e madhe që te jetë baza e kapitalit tonë, aq me e madhe do te jetë aftësia jonë për të zhbllokuar likuiditetin e tepërt në sistemin bankar, nga i cili përfitojnë si bankat ashtu dhe huamarrësit.

RTKlive: Është parashikuar që Fondi i Garancive Kreditore të ketë një rol pozitiv si në rritjen ekonomike të vendit po ashtu edhe në shtimin e vendeve të punës. A jeni të kënaqur me rezultatet e deritashme?

Nolan: Deri më tani, jemi të kënaqur me rezultatet. Përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, u liruan në treg 3 milionë euro, që në bazë të llogaritjeve ekonomike, krijojnë përafërsisht 150 vende pune. Natyrisht, ne nuk do të ndalemi me kaq, them që do të bëjmë edhe më shumë. Unë besoj se kemi pasur një fillim të mbarë, dhe nëse vazhdojmë me një ritëm të tillë, bashkë me komunitetin bankar, do të jemi faktor i rëndësishëm në përmirësimin e dukshëm të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e mundësive për punësim në Kosovë. Me duhet ta ritheksoj se ne jemi vetëm një pjesë e ‘mozaikut’ dhe jo e tërë tabloja. Ka ende shumë për të bërë. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Regjistrimi i popullsisë, familja Jashari përfundon procesin nga stafi i ASK-së

Regjistrimi i popullsisë, familja Jashari përfundon procesin nga stafi i ASK-së

Ekonomi
​Përfundon periudha transitore: Nga sot, euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë

​Përfundon periudha transitore: Nga sot, euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë

Ekonomi
Bëhu banor i kompleksit luksoz bregdetar “Holiday In 2” - Shëngjin

Bëhu banor i kompleksit luksoz bregdetar “Holiday In 2” - Shëngjin

Edil Project
​Qytetarët reagojnë për shtrenjtimin e bukës deri në 60 centë, ja sa u rrit në dekadën e fundit

​Qytetarët reagojnë për shtrenjtimin e bukës deri në 60 centë, ja sa u rrit në dekadën e fundit

Ekonomi
Për herë të parë në Kosovë vjen

Për herë të parë në Kosovë vjen "Peja Outdoor Tourism Festival"

Peja Outdoor
Ndrroje kerrin e vogël me Dacia Duster të ri për rrugë të gjata - Auto Mita

Ndrroje kerrin e vogël me Dacia Duster të ri për rrugë të gjata - Auto Mita

Auto Mita
Kalo në kategori