LAJMI I FUNDIT:

Fondacioni Kosova Makers League dhe Libraria Dukagjini nisin bashkëpunimin e tyre në kuadër të kampanjës “Një robot për çdo fëmijë”

Fondacioni Kosova Makers League dhe Libraria Dukagjini nisin bashkëpunimin e tyre në kuadër të kampanjës “Një robot për çdo fëmijë”

Fondacioni Liga e Krijuesve Kosovarë – Kosova Makers League dhe Libraria Dukagjini kanë nisur bashkëpunimin e tyre për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për kampanjën “Një robot për çdo fëmijë”.

Përmes kampanjës “Një robot për çdo fëmijë”, Kosova Makers League synon që të arrijë pajisjen e të paktën 50% të shkollave fillore publike në vend me robotë edukativë, ashtu që sa më shumë fëmijë të moshave 6-15 vjeç të mund të prekin botën e robotikës.

Kjo kampanjë ka marrë përkrahje nga komuniteti, nga disa iniciative të nisura prej shkollave pjesëmarrëse të garës së robotikës, e së fundmi edhe nga Libraria Dukagjini, të cilët i janë bashkuar mbledhjes së fondeve duke nisur një bashkëpunim me Kosova Makers League.

Duke filluar nga data 10 Korrik e deri me datën 14 Korrik, nga çdo libër i blerë nga botimet Lekë dhe botimet Dukagjini, libraria Dukagjini do të ndajë 1 euro nga çmimi i secilit libër si donacion për kampanjën “Një robot për çdo fëmijë”.

Në librarinë Dukagjini mund të gjeni një shumëllojshmëri të librave, duke filluar nga librat për fëmijë, të cilët nxisin imagjinatën e fëmijëve, e deri te novelat dhe trillimet, të cilat ushqejnë pasionin e të lexuarit te të gjithë lexuesit.

Blerjet e librave mund të bëhen online përmes linkut: https://dukagjinibooks.com/ dhe fizikisht në dy pikat e librarisë Dukagjini: Bulevardi “Nëna Terezë”, Prishtinë dhe në Prishtina Mall.

Blerja e këtyre librave nuk është vetëm vlerë e shtuar në koleksionin e secilit lexues, por njëkohësisht është kontribut në digjitalizimin e shkollave fillore publike të Kosovës dhe në përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit e vendit.

Për më shumë të reja rreth zhvillimit të kampanjës “Një robot për çdo fëmijë”, klikoni në linkun: https://kosovaideas.com/sq/produkti/nje-robot-per-cdo-femije/